Melanie C ka folur hapur për thashethemet që kanë qarkulluar prej vitesh rreth orientimit të saj seksual, të cilat u bazuan kryesisht në pamjen dhe stilin e saj gjatë kohës me grupin Spice Girls.

Në një intervistë në “The Mitch Churi Chat Show”, këngëtarja e njohur si “Sporty Spice” tha se gjatë viteve ’90 shumë njerëz supozonin se ajo ishte lesbike, thjesht për shkak të stilit të saj sportiv, flokëve të shkurtra dhe veshjeve më të thjeshta krahasuar me anëtaret e tjera të grupit.

Ajo u shpreh se nuk ka asnjë problem me këto supozime, por theksoi se mënyra si u krijuan këto ide ishte e padrejtë, sepse u bazuan vetëm në pamje dhe stereotipe.

Sipas saj, është “e gabuar dhe e padrejtë” të gjykosh seksualitetin e dikujt nga mënyra si vishet apo si duket.

Megjithatë, Melanie C shtoi se këto thashetheme, edhe pse shpesh të bezdisshme, kanë ndikuar që Spice Girls të fitojnë një mbështetje të madhe nga komuniteti LGBTQ+, gjë që ajo e vlerëson shumë dhe e sheh si diçka pozitive.

Ajo tha gjithashtu se në fund të fundit, kjo histori është “më e madhe se vetë grupi”, duke nënvizuar ndikimin kulturor që kanë pasur Spice Girls.

Melanie C është aktualisht në një lidhje me Chris Dingwall dhe më herët ka qenë në një marrëdhënie afatgjatë me producentin Joe Marshall. Ajo gjithashtu është nënë e një vajze 17-vjeçare.