Konsumi i karburanteve në vend ka pësuar një rënie të fortë gjatë muajit prill, ndërsa çmimet e larta të naftës kanë shtyrë shumë drejtues mjetesh të furnizohen në vendet fqinje.

Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Doganave, në prill në tregun vendas qarkulluan rreth 33 mijë ton naftë, ose 39.2 milionë litra, nga afro 47 milionë litra që ishin tregtuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rënia e konsumit rezulton në 16.4%, një nga tkurrjet më të forta të muajve të fundit.

Operatorët e tregut e lidhin këtë situatë me rritjen e çmimit të karburanteve në Shqipëri dhe diferencën e madhe me vendet e rajonit, kryesisht Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ku nafta tregtohet deri në 30-40% më lirë.

Gjatë muajit prill, çmimi mesatar i naftës në vend ishte rreth 210 lekë për litër, nga 172-175 lekë/litër që ishte një vit më parë. Diferenca e çmimeve ka bërë që shumë automjete të furnizohen pranë pikave kufitare jashtë Shqipërisë.

Edhe importet e karburanteve kanë ndjekur të njëjtën tendencë rënëse. Në prill, importet ranë me 14%, duke zbritur në 52 mijë ton, ndërsa për katërmujorin rënia arriti në 5%. Konsumi total për katër muajt e parë të vitit u tkurr me 3.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Megjithatë, pavarësisht rënies së konsumit, qeveria nuk ka pësuar humbje në të ardhurat nga karburantet. Sipas të dhënave doganore, rritja e çmimit të zhdoganimit ka kompensuar tkurrjen e shitjeve.

Në prill 2026, vlera e zhdoganimit arriti në 99 lekë për litër, dyfish më shumë krahasuar me 49.8 lekë/litër një vit më parë. Si rezultat, të ardhurat doganore nga karburantet mbetën pothuajse në të njëjtat nivele, me 2.86 miliardë lekë të arkëtuara gjatë muajit.

Për katërmujorin, të ardhurat doganore nga karburantet arritën në 13.1 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 2.1% në raport me një vit më parë.