Pas afrimit të Anthony Gordon, Barcelona duket e vendosur të vazhdojë ofensivën në merkato me një tjetër emër të madh. Objektivi i radhës i klubit katalanas është Julian Alvarez, sulmuesi argjentinas i Atletico Madridit dhe kampion bote me Argjentinën.
Sipas raportimeve të ekspertit të njohur të merkatos Fabrizio Romano, Barcelona ka paraqitur tashmë një ofertë zyrtare për kartonin e sulmuesit 25-vjeçar. Bëhet fjalë për një propozim prej 100 milionë eurosh, pa bonuse dhe pa përfshirë lojtarë në shkëmbim, një ofertë e pastër financiare për të bindur Atletico Madridin të heqë dorë nga një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës.
Julian Alvarez vjen pas një sezoni pozitiv me fanellën e Atletico Madridit, ku realizoi 20 gola dhe dhuroi 9 asistime, duke konfirmuar rolin e tij si një nga sulmuesit më të spikatur në futbollin europian.
Megjithatë, situata mes palëve duket se është tensionuar. Raportohet se drejtuesit e Atletico Madrid nuk janë aspak të kënaqur me zhvillimet e fundit, ndërsa sipas informacioneve që qarkullojnë në Spanjë, vetë Alvarez i ka kërkuar klubit të largohet gjatë kësaj vere, me destinacion të preferuar Barcelonën.
Në muajt e fundit, sulmuesi argjentinas kishte komentuar publikisht mbi të ardhmen e tij, duke treguar respekt për klubin madrilen dhe tifozët.
“Jam shumë i lumtur këtu. Është një pyetje që më pas përhapet kudo. Mendoj ditë pas dite, punoj për t’u përmirësuar dhe për të dhënë maksimumin këtu. Nuk kam folur kurrë keq për klubin dhe jam shumë mirënjohës për mbështetjen që më kanë dhënë”, ishte shprehur Alvarez.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse Atletico Madrid do të pranojë ofertën e Barcelonës apo do të rezistojë për të mbajtur një nga yjet e saj më të rëndësishëm në prag të sezonit të ri.





