Barazimi 2-2 në Shkodër ndaj Vllaznisë ka rritur entuziazmin në kampin e Teutës ku futbollistët e kësaj skuadre e shohin mëse të mundshëm kualifikimin në gjysmëfinale dhe ecurinë e mëtejshme në këtë turne.

“Mendoj se ekipi luajti mirë që nga minuta e parë pavarësisht dy gabimeve. Gjithsesi, jam i kënaqur me rezultatin e ndeshjes. Ky është një rezultat që na jep shumë shpresë dhe është toalisht në dorën tonë, është gjynah ta humbim këtë kualifikim. Kupa është objektivi më i afërt për të hyrë në Kupat e Europës, kemi edhe kampionatin përpara. Por kjo është më afër dhe kemi kualitet për ta tentuar se finale janë të gjitha”, deklaroi Sherif Kallaku.

Megjtihatë, durrsakët nuk heqin dorë nga kualifikimi nëpërmjet kampionatit dhe sipas sulmuesit durrsak, kjo do të shihet që në ndeshjen e radhës, edhe pse përballë është ekipi kryesues.

“Tirana është një ekip shumë i fortë, kryeson me meritë. Por ne kemi objektivat tonë dhe kërkojmë vetem tre pikë kundër Tiranës”, tha ai.