Nga BUJAR QESJA
Ka çaste kur jeta dhe sporti ndërthuren në mënyrë të pazakontë. Ka ditë kur stadiumet, arenat dhe ekranet mbushen me emocionet e një finaleje të madhe, ndërsa diku larg, në heshtje, fiket një yll që për dekada të tëra ka ndriçuar sportin shqiptar.
Kështu ndodhi edhe këtë fund maji.Teksa miliona sportdashës, ndiqnin finalen e Ligës së Kampionëve në futboll, një lajm i trishtë mbërriti nga Rimini i Italisë. Një kampion i madh u largua nga jeta.
Kreshnik Tartari, prej emrave më të shquar të volejbollit shqiptar, mbylli sytë përgjithmonë në moshën 83-vjeçare, duke lënë pas një histori të rrallë suksesi, dinjiteti dhe përkushtimi.
Lajmin ma përcolli, i vëllai i Kreshnikut, miku i vjetër Gramoz Gjikolli. Ishte nga ato lajme, që të mpijnë për një çast. Në ekran luhej për një titull kampioni, ndërsa në jetën reale humbnim një kampion të vërtetë.
I lindur më 21 korrik 1943, Kreshnik Tartari ishte bir i një familjeje të njohur durrsake. Vinte nga fisi i respektuar i Tartarëve të Durrësit, familje e lidhur ngushtë me sportin. Babai i tij, Nimet Tartari, ka qenë futbollist i “Teutës” në vitet ’30-të, duke luajtur përkrah emrave legjendarë si Niko Dovana, Anastas Moisiu, Mikel Nushi, vëllezërit Margariti, Kristaq Pizha etj. Ishte një trashëgimi sportive, që Kreshniku do ta nderonte në mënyrën më të shkëlqyer.
Dy motrat e Kreshnikut janë binjaket e njohura pianistja dhe violinistja Anita dhe Didi Tartari “Artiste të Meritura”. Tre vëllezërit janë gjithashtu Artan Tartari operator i TVSH-së, Iliri historian dhe pedagog, si dhe Gramozi inxhinjer.
Emri i tij lidhet pazgjidhshmërisht, me “Dinamon” e madhe të volejbollit shqiptar. Nën drejtimin e trajnerit vizionar Vangjel Koja, Tartari u formua si sportist dhe u shndërrua në një nga figurat qendrore të ekipit, që dominoi volejbollin shqiptar për vite me radhë.
Kapiten skuadre, lider në fushë dhe shembull jashtë saj, Tartari luajti përkrah emrave që sot përbëjnë historinë e këtij sporti, Asllan Rusi, Ylli Shehu, Kiço Lena, Enis Terihati, Zhan Bonati, Anastas Panteqi dhe shumë të tjerë.
Por madhështia e tij, nuk mbeti vetëm tek roli i lojtarit. Pas përfundimit të karrierës sportive, do të shkëlqente edhe si trajner. Në vitet ’80-të, skuadra e femrave e “Dinamos”, nën drejtimin e Kreshnik Tartarit, u kthye në një forcë të respektuar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në arenën europiane. Ishin vitet kur volejbolli shqiptar, arrinte rezultate që edhe sot kujtohen me krenari.
Kreshnik Tartari ishte reformator në mendim dhe modern në qasje. Zotëronte kulturë të gjerë, aftësi drejtuese dhe vizion për zhvillimin e sportit. Për këtë arsye, u ngarkua edhe me detyra të rëndësishme shtetërore, duke shërbyer deri në zëvendësministër i sporteve. Më pas përvoja e tij, u vlerësua edhe jashtë vendit, ku drejtoi për disa vite Kombëtaren e San Marinos në volejboll, duke lënë gjurmë profesionalizmi dhe serioziteti.
Për angazhimin e jashtëzakonshëm në sport, shteti shqiptar e nderoi me titujt më të lartë. U shpall “Mjeshtër i Merituar i Sportit” dhe në vitin 2013 mori dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, vlerësim që përmbledh më së miri gjithçka i dha sportit shqiptar.
Pas suksesit publik, qëndronte edhe njeriu familjar. Ndërtoi një familje të bukur, duke lidhur jetën me Nigdën,vajzën e intelektualit të njohur, doktor Medar Shtylla dhe motrën e okulistit të famshëm Ylli Shtylla. Ishte baba i dy vajzave Andia dhe Dania, të cilave u la trashëgim jo vetëm emrin e mirë, por edhe vlerat e ndershmërisë, kulturës dhe përkushtimit.
Muajt e fundit, shëndeti i tij u rëndua. Problemet kardiake dhe vështirësitë shëndetësore e kufizuan veprimtarinë e tij, por nuk ia zbehën kurrë dinjitetin. Mbeti deri në fund, njeriu i urtë, i matur dhe i respektuar nga të gjithë ata, që patën fatin ta njohin.
Edhe gazeta “Teuta Sport”, me botues Bujar Qesja, e botuar në vitet 90- të, ka arsye të veçantë për ta kujtuar me mirënjohje.
Kreshnik Tartari ishte dge mbeti mik i saj i çmuar. E ndihmoi sipas mundësive, me këshilla, me mbështetje morale dhe materiale, duke treguar edhe njëherë, zemërgjerësinë që e shoqëronte.
Të mërkurën, më 3 qershor 2026, në Itali do të zhvillohet ceremonia e fundit e lamtumirës.
Familjarë, miq, kolegë, sportistë dhe admirues do ta përcjellin për në banesën e fundit, një njeri që për dekada të tëra ishte simbol i përkushtimit dhe i suksesit.
Kreshnik Tartari largohet fizikisht, por jo nga kujtesa e sportit shqiptar. Rekordet e titujve kampionë, fitoret, skuadrat që ndërtoi dhe njerëzit që frymëzoi, do të vazhdojnë të flasin për të.
Kampionët e vërtetë nuk maten vetëm me trofe. Vlerësohen edhe me gjurmën që lënë në historinë e një kombi.
Ndaj, në mbrëmjen e 30 majit 2026, kur futbolli kurorëzonte kampionët e rinj të Europës, Shqipëria humbi nga kampionët e saj më të mëdhenj. Dhe kjo është një humbje, që nuk matet me rezultate apo medalje, por me boshllëkun që lë pas një personalitet i rrallë.
Lamtumirë, Kreshnik Tartari!
Emri yt do të mbetet përherë në panteonin e artë të sportit shqiptar.
Lot dhimbje për ty, i paharruari ynë!
Pas miqve të t’u të shtrenjtë dhe shumë të dashur si Kiço Blushi, Rikard Ljarja, Agron Çobani, Alfons Gurashi, Betim Muço, Enea Muça të humbëm përgjithnjë edhe ty, por kurrë emrin dhe punën që le pas.
Veçanërisht Durrësi dhe durrsakët, kanë arsyje më shumë për të të kujtuar. Ti i nderove ato, duke i luajtur ndeshjet europiane në Durrës dhe ato të dhanë shpërblimin e merituar.
Dheu i lehtë Kreshik Tartari, Kreshniku i gjithkohshëm i sportit dhe i volejbollit kombëtar!
























