Rihanna vazhdon të surprizojë me zgjedhjet e saj në botën e modës. Këtë herë, artistja dhe sipërmarrësja ka vendosur që fytyra kryesore e fushatës së re Pride të markës së saj Savage X Fenty të jetë vajza e Elon Musk, Vivian Wilson, një nga emrat që po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje në industrinë e fashion-it.

22-vjeçarja shfaqet në materialet promocionale të koleksionit të ri me veshje të errëta, të kombinuara me elemente moderne dhe mesazhe që promovojnë diversitetin, përfshirjen dhe mbështetjen për komunitetin LGBTQ+.

Ky nuk është bashkëpunimi i parë mes Vivian dhe markës së famshme. Vetëm pak muaj më parë, ajo ishte pjesë e fushatës së Shën Valentinit të Savage X Fenty, një angazhim që duket se ka rezultuar mjaft i suksesshëm për të dyja palët.

Karriera e Vivian Wilson ka njohur një rritje të shpejtë gjatë viteve të fundit. Ajo ka qenë pjesë e projekteve të rëndësishme në industrinë e modës, është shfaqur në kopertina revistash prestigjioze dhe ka bërë debutimin e saj në pasarelat e Javës së Modës në New York.

Përtej angazhimeve profesionale, Vivian ka tërhequr interes të madh edhe për historinë e saj personale, duke folur hapur për eksperiencat dhe sfidat që ka përjetuar. Kjo e ka kthyer atë në një figurë të ndjekur jo vetëm në modë, por edhe në rrjetet sociale.

Me këtë bashkëpunim të ri, Rihanna duket se po konfirmon besimin te Vivian Wilson, ndërsa modelja e re po vazhdon të ndërtojë një emër gjithnjë e më të fortë në skenën ndërkombëtare të modës.