Jennifer Lopez ka folur hapur për jetën e saj si beqare dhe ka pranuar se do të kishte dashur të pranonte këtë fazë më herët. Gjatë një paraqitjeje në emisionin “Jimmy Kimmel Live!”, këngëtarja dhe aktorja 56-vjeçare konfirmoi se aktualisht është beqare, duke shtuar me humor dhe sinqeritet: “Duhej ta bëja më herët. Gjithçka e kam bërë gabim… më beso”.
Lopez u pyet gjithashtu nëse do të merrte pjesë në ndonjë program takimesh televizive, si “The Bachelor”, por ajo hodhi poshtë idenë, duke theksuar se nuk do të bënte asgjë që mund t’i prishte gjendjen e mirë që ka tani. “Ndjehem fantastike”, tha ajo. Megjithatë, ajo nuk e përjashtoi mundësinë e një lidhjeje të re në të ardhmen, duke shtuar se mund të njohë dikë “nëse është mjaftueshëm i mirë”.
Këngëtarja rikujtoi edhe ndarjen nga Ben Affleck, me të cilin kishte nisur një romancë në vitin 2021 dhe u martuan në korrik 2022, por kërkesa për divorc u paraqit në gusht 2024.
Jennifer Lopez është nënë e binjakëve Max dhe Emme nga martesa e saj me Marc Anthony, ndërsa Ben Affleck ka tre fëmijë nga ish-bashkëshortja Jennifer Garner. Lopez ka treguar më parë se pas divorcit ka bërë një pauzë nga jeta sentimentale për t’u fokusuar tek vetja dhe mirëqenia e saj personale.





