Organizata e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se një fazë e re e fenomenit klimatik El Niño mund të nisë brenda pak javësh dhe të forcohet gjatë vitit 2026, duke rritur ndjeshëm temperaturat globale në një kohë kur planeti po përballet tashmë me ndikimet e ndryshimeve klimatike.

Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO), ekzistojnë indikacione se ky El Niño mund të zhvillohet në një nga më të fortët e regjistruar ndonjëherë, me mundësi për të arritur nivelet e ashtuquajtura “super El Niño”. Pra duke sjellë më shumë ngjarje ekstreme të motit në shumë rajone të botës.

Shkencëtarët po monitorojnë ngrohjen e ujërave në Paqësorin qendror, ku ndryshimet e fundit tregojnë kalimin nga temperatura nën mesatare në ngrohje të theksuar, një sinjal tipik i formimit të fenomenit.

El Niño ndodh kur ndryshimet në drejtimin e erërave lejojnë përhapjen e ujërave të ngrohta në Oqeanin Paqësor tropikal, duke ndikuar në sistemin global të motit.

Ekspertët theksojnë se masa të mëdha uji shumë të ngrohtë, që në disa zona tejkalojnë mesataren me mbi 6°C, po lëvizin në thellësi të Paqësorit, çka mund të forcojë më tej fenomenin në muajt në vijim.

Jemi të bindur se po afrohet një ngjarje e madhe, madje mund të jetë rekord,” tha profesori Adam Scaife nga Zyra Meteorologjike e Mbretërisë së Bashkuar.

Shkencëtarët thonë se kur temperaturat e sipërfaqes së detit rriten mbi 0.5 gradë nga mesatarja për një periudhë të gjatë, krijohen kushtet për El Niño, ndërsa mbi 2 gradë konsiderohet një “super El Niño”. Që nga viti 1950 janë regjistruar vetëm disa raste të tilla.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, paralajmëroi se El Niño do të shtojë ndikimet e ngrohjes globale, duke theksuar se pasojat e tij do të jenë më të forta dhe më të përhapura në mbarë botën.

Sipas ekspertëve, një El Niño i fortë zakonisht sjell thatësira dhe temperatura të larta në Amerikën e Jugut, Azinë Juglindore dhe Australi, si dhe rrit rrezikun për zjarre në pyje. Mund të dobësojë edhe musonet në Indi dhe të sjellë thatësira në Afrikën Lindore, ndërsa në SHBA-në jugore mund të rrisë rrezikun e përmbytjeve.

Edhe në Europë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, El Niño mund të ndikojë në dimra më të butë në fillim dhe më të ftohtë në fund, ndonëse ndikimi është më i kufizuar.

Në të kaluarën, fenomeni është lidhur me rritje të çmimeve të ushqimeve dhe humbje të mëdha ekonomike globale, për shkak të dëmeve në bujqësi dhe zinxhirët e furnizimit.

Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se ndikimi i saktë mbetet i pasigurt, pasi El Niño varet shumë nga erërat, të cilat janë të vështira për t’u parashikuar në afat të gjatë.

Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se edhe nëse fenomeni nuk arrin nivelin “super”, ndikimi i tij mund të jetë i rëndë, pasi po ndodh në një planet tashmë të ngrohur ndjeshëm nga aktiviteti njerëzor.

Sipas parashikimeve, viti 2027 mund të jetë ndër më të nxehtët e regjistruar ndonjëherë në nivel global.