“DurrësLajm” mëson se 20 punonjës të bashkisë Durrës kanë bërë tamponin paraditen e sotme, pasi një kolegia e tyre rezultoi e prekur nga Covid-19. 

Lajmi për rezultatin pozitiv të tamponit të punonjëses së bashkisë u bë publik mëngjesin e sotëm, ndërkohë që menjëherë më pas institucioni i bashkisë u dezinfektua tërësisht. 

Mëngjesin e nesërm pritet të mësohet përgjigja e tamponit të punonjësve të tjerë të institucionit të qeverisjes vendore, të cilët kanë qenë në kontakt më të afërt me kolegen e tyre gjatë ditëve të fundit.

Mësohet se punonjësja e prekur është paraqitur rregullisht në punë gjatë javës së fundit, ndërkohë që nuk dihet se ku mund ta ketë marrë virusin. 

Pas përgjigjes së tamponëve të ditës së nesërme pritet të vendoset edhe për anëtarët e stafit të bashkisë që do të vetëkarantinohen në shtëpi. Duke qenë se këto dy ditë është fundjavë, pritet që vetëm të hënën të mësohet nëse institucioni i qeverisjes vendore do të vijojë të ofrojë shërbim për qytetarët apo jo. 

Gjatë ditës së sotme u regjistruan 4 raste të reja me Covid-19 në Durrës, ndërkohë që numri total i rasteve aktive është 19 persona. Që nga fillimi i pandemisë, në Durrës kanë humbur jetën 7 persona nga koronavirusi. Viktima e parë në vend u regjistrua pikërisht në qytetin bregdetar, ku një e moshuar 71-vjeçare humbi jetën në spitalin rajonal, pasi nuk mundi të transportohej drejt Spitalit Infektiv për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

Ndërkohë po në Durrës u regjistrua rasti i parë në vendin tonë i riinfektimit me Covid-19. Mjeku i spitalit të Durrësit, B. Gelaj, që u prek nga koronavirusi nga kontakti që pati me të moshuarën, u riinfektua pak ditë më parë nga kontakti me të bijën, mjeke në QSUT.

M.B.