Belgjika ka konfirmuar forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Shqipërinë, duke njoftuar hapjen e ambasadës së saj në Tiranë dhe duke vlerësuar progresin e vendit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Pas takimit bilateral me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Belgjikës, Maxime Prevot, reagoi në rrjetin social X, ku e cilësoi hapjen e ambasadës si një sinjal të qartë të rëndësisë që Brukseli i kushton marrëdhënieve me Shqipërinë.

Prevot vlerësoi gjithashtu miratimin e raportit IBAR për Shqipërinë, duke e konsideruar atë një arritje të jashtëzakonshme që e afron vendin me fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësim në BE.

“Mirë se vini! Jam i kënaqur të mirëpres Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Ferit Hoxha në Bruksel, një mik dhe një ish-diplomat që e njeh shumë mirë këtë qytet nga vitet e tij si Ambasador këtu. Dhe për fat të keq i njohur me shirat tipikë belgë!

Patëm një takim plot lajme të mira. Belgjika do të hapë një ambasadë në Tiranë, një sinjal i qartë i rëndësisë që i kushtojmë marrëdhënies sonë. Dhe vetëm javën e kaluar, Shqipëria u bë vendi i dytë kandidat i BE-së që mori IBAR, duke hyrë në fazën përfundimtare të negociatave të anëtarësimit. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme dhe për të cilën e përgëzojmë ngrohtësisht Shqipërinë.

Belgjika e inkurajon Shqipërinë të vazhdojë në këtë rrugë me të njëjtën vendosmëri, veçanërisht në sundimin e ligjit, pavarësinë gjyqësore dhe luftën kundër korrupsionit. Rruga drejt anëtarësimit bazohet në meritë dhe Shqipëria po dëshmon se mund të japë rezultate.

Diskutuam gjithashtu bashkëpunimin tonë dypalësh në drejtësi, polici dhe luftën kundër krimit të organizuar, si dhe rolin konstruktiv të Shqipërisë në stabilitetin rajonal. Ballkani Perëndimor është në krye të axhendës sime. Pres me padurim të vizitoj Tiranën vitin e ardhshëm për hapjen e ambasadës sonë”, shkroi Prevot në “X”.