Një grup maturantësh nga Durrësi dolën sot për të protestuar kundër testimeve të Maturës Shtetërore, paralelisht me protestën që po zhvillohet për të dytën ditë me radhë në Tiranë.
Shkak është bërë provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë të zhvilluar ditën e enjte, që sipas tyre ishte i ndërtuar me pyetje subjektive dhe disa alternativa që nuk ishin pjesë e programit mësimor.
Me pankarta nëpër duar e thirrjet “Duam të drejtat tona”, ata qëndruan përpara Zyrës Vendore të Arsimit, duke kërkuar rivlerësimin e provimit dhe mosvlerësim për pyetjet jashtë programit.
“Ai test që na bënë nuk kishte asgjë nga programi. Ne kërkojmë që të na rishikohet testi dhe mos vlerësohet asgjë që ne nuk e kemi pasur në program. Duam të drejtat tona”, thotë njëra nga maturantet.
Një tjetër nxënëse shprehet: “Mësimi online është kryer, por nuk ka dhënë rezultat. Ne kërkojmë të mbajnë fjalën që kanë dhënë. Lehtësirat që na premtuan nuk kishte në provim, 25 pyetje ishin shumë të vështira e nuk kishin lidhje fare me programin. Ne kërkojme një rivlerësim të provimit e të na marrin për bazë kërkesat tona, pasi nuk kemi dalë këtu kot”.
Pas protestës së zhvilluar përpara ZVA-së, grupi i nxënësve kanë marshuar drejt qendrës së Durrësit përpara bashkisë, me brohoritje në kor “S’jemi opozita, jemi maturantë”; “Maturantët protestojnë”; “Duam mbështetje” etj.
Por për Qendrën e Shërbimeve Arsimore, pretendimet e maturantëve nuk janë të vërteta dhe nuk ka asnjë gabim shkencor dhe mënyra se si hartohet përjashton çdo mundësi që të ketë gabime – qoftë në përmbajtje dhe qoftë në përfshirjen e koncepteve jashtë programit.
Në reagimin e djeshëm të ministres së Arsimit Besa Shahini, u theksua se “Provimet Kombëtare hartohen nga ekspertë provimesh. Unë i besoj Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) kur thotë se sivjet provimet janë më të lehta se kurdoherë më parë sepse ndodhin pas një gjendjeje të jashtëzakonshme dhe prandaj janë konceptuar vetëm me alternativa – PA TEMAT që janë zhvilluar në kushte shtëpie. Dhe kjo, vërtetohet lehtësisht në fund, kur të mblidhen të gjitha rezultatet dhe nëse rastis që testi të ketë qenë më i vështirë se sa njohuritë e nxënësve, atëherë QSHA BËN RISHPËRNDARJE TË PESHËS SË PIKËVE PËR ÇDO NOTË. Por, këto çështje teknike s’kanë as lidhje e as vend për debate politike dhe jo më për protesta opozitare.”
S.L.





