Administrata Tatimore ka njoftuar tatimpaguesit se aplikimi për Marrëveshjen e Paqes Fiskale për vitin tatimor 2026 është i hapur deri më 05.06.2026 dhe kryhet online përmes sistemit “e-filing”.

Sipas njoftimit zyrtar, të drejtën për të aplikuar e kanë tatimpaguesit që janë persona fizikë ose subjekte juridike dhe që plotësojnë një sërë kushtesh, përfshirë realizimin e të ardhurave mbi 14 milionë lekë në vitin e kaluar, mungesën e detyrimeve të papaguara, si dhe mosqenien në procese hetimore apo penale në fushën tatimore.

Aplikimi bëhet në platformën “e-filing”, në rubrikën “Çështjet e mia”, ku tatimpaguesit duhet të ngarkojnë formularin përkatës dhe dokumentacionin shoqërues, përfshirë vërtetime nga institucionet përkatëse dhe vetëdeklarime ligjore.

Pas shqyrtimit të aplikimeve, Administrata Tatimore do të njoftojë vendimmarrjen brenda 5 ditëve kalendarike, por jo më vonë se 10.06.2026, përmes sistemit elektronik.

Më pas, tatimpaguesit e miratuar duhet të dorëzojnë marrëveshjen e nënshkruar brenda 5 ditëve nga njoftimi, ndërsa çdo rideklarim i pasqyrave financiare duhet të përfundojë deri më 30.06.2026, së bashku me pagesat përkatëse dhe dokumentacionin shtesë.

Administrata Tatimore thekson se aplikimet pas afatit 05.06.2026 nuk do të pranohen dhe fton të gjithë tatimpaguesit që plotësojnë kushtet të përfitojnë nga kjo mundësi.