Bashkia e Durrësit ka reaguar zyrtarisht pas rrëshqitjes së dheut që ndodhi në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje, 5 qershor 2026, në zonën e Currilave, duke bërë të ditur se janë marrë të gjitha masat për garantimin e sigurisë së banorëve.

“Si pasojë e rrëshqitjes së dheut të ndodhur në orët e para të ditës së sotme, me datë 5 qershor 2026, në zonën e Currilave, ekipet e Bashkisë së Durrësit ndërhynë menjëherë për të garantuar sigurinë e banorëve. Në bashkëpunim me institucionet vendore dhe qendrore, pjesë e sistemit të mbrojtjes e emergjencave civile, janë marrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e situatës.

Bashkia e Durrësit është duke koordinuar punën me insitucionet në vartësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që prej muajit Mars 2026, ku ka kërkuar monitorim dhe vlerësim të situatës së rrëshqitjeve në këtë zonë, duke nisur nga situatat e rrëshqitjeve të muajit janar 2026. Në bazë të kësaj kërkese Instituti i Ndërtimit dhe Shërbimi Gjeologjik Shqiptar kanë hartuar relacionet paraprake për gjendjen e kodrës. Për këtë kemi hartuar edhe një marrëveshje bashkëpunimi për një ekspertizë më të specializuar.

Sa i takon situatës së krjuar ditën e sotme Bashkia e Durrësit ka kërkuar

  1. Hartimin e akt ekspertizës së qëndrueshmërisë së objektit si pasojë e rrëshqitjeve të datës 5.6.2026
  2. Hartimin e një projekti për rehabilitimin e zonës ku ka ndodhur rrëshqitja. Më tej do të kërkohet edhe financimi nga institucionet qëndrore për realizimin e këtij rehabilitimi në një kohë sa më të shpejtë.

Është ngritur menjëherë një grup pune i përbërë nga përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Institutit të Ndërtimit, IGJEUM-it dhe Bashkisë Durrës, me qëllim konstatimin dhe vlerësimin në terren të gjendjes fizike të zonës së prekur.

Gjatë ditës së nesërme do të ketë dy grupe pune të drejtuar nga Instituti i Ndërtimit së pari për të vlerësuar paraprakisht nëse ka dëme në objekt dhe së dyti do të fillojne matjet per studimin gjeologjik dhe gjeoteknik, të cilat do të shërbejnë si bazë për hartimin e akt-ekspertizës dhe projektit të nevojshëm të përforcimit dhe stabilizimit të territorit.

Paralelisht, Instituti i Ndërtimit ka ngritur një grup të posaçëm pune, të përbërë nga profesorë universitarë dhe profesionistë me përvojë të lartë në fushë, për realizimin e akt-ekspertizës së pallatit. Qëllimi është arritja e një vlerësimi të plotë, profesional dhe zyrtar mbi gjendjen teknike dhe qëndrueshmërinë strukturore të tij, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira inxhinierike.

Për arsye sigurie, 25 familjet që banojnë aktualisht në këtë pallat, nuk do të hyjnë në banesat e tyre deri në përfundimin e vlerësimeve teknike, normalizimin e situatës dhe konfirmimin nga autoritetet kompetente se kthimi në to është i sigurt.

Siguria e jetës dhe shëndetit të qytetarëve mbetet prioritet absolut.”, njofton bashkia.