Ekspozita “Pasion për Pikturë” hapi dyert pasditen e së hënës në Galerinë e Arteve Pamore “Nikollë Vasia” në Durrës. Ajo bëri bashkë veprat artistike të piktorit Kastrion Gjinplaku, nga fshati Shetaj i njësisë administrative Ishëm, si dhe miqve të tij artistë nga Shijaku: Ardit Faja, Migena Papajani, Sonja Morina, Emir Llaftiu dhe Gentian e Ergys Faja.
Përmes peizazheve të punuara në teknikën e akrilikut, Gjinplaku prezanton mbi 20 tablo, ku dominojnë ngjyrat e larmishme të trevës së tij, por edhe motive nga qyteti i Durrësit.
“Nga fshati im, Shetaj, kam pikturuar peizazhe të fshatit, Kalanë e Ishmit, Kishën e Rodonit, por edhe qytetin e Durrësit. Siç shikoni këtu, janë edhe Vila e Zogut dhe disa portrete figurative.” shprehet Gjinplaku.
Kjo ekspozitë dhe miqësia që ekziston mes këtij komuniteti artistësh synojnë të mbajnë gjallë traditën dhe vlerat e krijuara ndër vite nga emrat e mëdhenj të artit në Durrës, Shijak dhe më gjerë.





