Gazetari Osman Stafa, ka mbajtur një fjalim përpara mijëra qytetarëve të mbledhur në bulevard.

Stafa hodhi akuza të forta ndaj qeverisë për mënyrën se si u përgjigjet shqetësimeve reale të qytetarëve me propagandë dhe justifikime të jashtme, ndërkohë që çmimet dhe korrupsioni po rëndojnë jetën e përditshme.

“Na kanë thënë se ky vend nuk bëhet, por ky imazh këtu tregon të kundërtën. Ky vend bëhet! A ka korrupsion në Shqipëri? A ka shëndetësi? Nafta, çmimet janë në qiell. Si do jetojmë? Ne themi nuk ka shëndetësi, ata thonë Irani. Ne themi s’ka arsim, ata thonë Soros, ne themi s’ka rroga, ata thonë greku… Jo mor jo, kanë frikë, janë në panik se kur populli del në shesh nuk ka më mandate!

Gjatë fjalës së tij, gazetari u ndal te pacientët me kancer, të cilët mbeten pa mjekim, ndërkohë që taksat e shqiptarëve shpenzohen për satelitë apo kopshte në godinat qeveritare.

“Në spitale nuk ka ilaçe, nuk ka pajisje. Nuk kurohet kanceri pa pajisje e ilaçe! Ndërkohë ky shtet harxhon lekët me kopshtin Eden në kryeministri me 4.3 mln euro nga taksat tona dhe pacientët me kancer nuk kanë ilaçe. Kemi çuar dy satelitë dhe pacientët nuk kanë ilaçe. Ky është realiteti ynë dhe ka një përgjegjës! A e dini ju se një jetim në Shqipëri merr 15 mijë lekë në muaj, ndërkohë luksi, 10 mijë euro për të larë makinat në një muaj këtu!”