Në hijen e gjigantëve europianë, Kosova kërkon vendin e saj në industrinë automotive
Nga Sefer Zogaj*, Kosovë
Kosova duket se ka vënë një bast të vogël me industrinë automotive teksa po përpiqet të ndërtojë një vend në zinxhirin e furnizimit të gjigantëve botërorë përmes prodhimit ende tejet modest të pjesëve dhe komponentëve për makina. Sot ajo mbetet një industri me peshë të vogël, e fragmentuar dhe pa rënë në sy, në një ekonomi që vazhdon të mbizotërohet nga importet dhe konsumi.
Por përtej kësaj, disa sipërmarrje po tentojnë të ndërtojnë “niche” (profil i veçantë prodhimi) industriale në komponentë me vlerë më të lartë të shtuar, duke hyrë gradualisht në zinxhirët e furnizimit të disa prej markave më të mëdha automobilistike në botë.
Pesha modeste e industrisë automotive
Në një përgjigje për “Monitor”, Dogana e Kosovës tregoi se nga 28 prilli 2021 e deri më 28 prill 2026, importet e kësaj industrie në Kosovë arritën shifrën mbi 2 miliardë e 360 milionë euro.
Vetëm gjatë katër muajve të parë të vitit 2026, importi shkoi në 177 milionë euro. Nga viti në vit ka rritje të trendit të importeve, në vitin 2024 importi në industri arriti mbi 565 milionë euro, një vit më pas, 2025, kishte rritje mbi 95 milionë euro, duke kapur shifrën totale 650 milionë euro.
Në katër muajt e parë të vitit 2026, eksportet mbetën pak më shumë se 3 milionë euro, duke e bërë industrinë mbështetëse automotive ende një “pikë uji në oqean”.
Referuar të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, eksportet totale të Kosovës janë rritur me ritme shumë të shpejta pas vitit 2020, duke kaluar nga 474.8 milionë euro në 941.5 milionë euro në vitin 2024 (viti i fundit i raportuar) një rritje prej rreth 98% brenda katër viteve.
Kulmi i parë u arrit në vitin 2022, me mbi 920 milionë euro eksporte, ndërsa në 2023, pati ngadalësim të lehtë përpara rikthimit në rritje në 2024. Brenda këtij totali, grupi “makineri, pajisje mekanike dhe elektrike” ka fituar gradualisht më shumë peshë.
Eksportet e këtij segmenti u rritën nga 20.3 milionë euro në 2020 në 45 milionë euro në 2024, ose me rreth 121%, një ritëm më i shpejtë se vetë eksportet totale të vendit. Si rezultat, pesha e këtij grupi në eksportet totale u rrit nga rreth 4.3% në vitin 2020 në afro 4.8% në vitin 2024.
Por në këtë tablo modeste duket se po krijohen disa histori të vogla transformimi industrial të lidhura me këtë industri. Në periferi të Prishtinës, MUNDA Kosova është një ndër kompanitë që ka nisur të prodhojë sisteme ndriçimi tekstili për automobila, një segment i specializuar sidomos te modelet premium dhe elektrike.
Kompania është furnizuesi i parë nga Kosova i miratuar nga Volkswagen Group dhe komponentët e saj përdoren për automjete Audi të destinuara kryesisht për tregun kinez.
Teknologjia që përdor lidhet me integrimin e ndriçimit LED në elemente tekstili brenda automjeteve, dhe është një kategori që po fiton rëndësi në industrinë moderne automotive për shkak të kombinimit mes funksionalitetit dhe dizajnit. Për një vend që historikisht ka eksportuar kryesisht lëndë të para dhe produkte me vlerë të ulët të shtuar, hyrja në zinxhirin furnizues të një prej prodhuesve më të mëdhenj të automjeteve në botë konsiderohet një zhvillim i pazakontë.
Rasti i MUNDA
MUNDA u krijua si partneritet mes kompanive ndërkombëtare AUNDE dhe MENTOR dhe ka zgjeruar aktivitetin me shpejtësi. Brenda rreth dy vjetësh e gjysmë, kompania ka punësuar mbi 250 persona. Rreth 80% e fuqisë punëtore janë gra, një strukturë që reflekton natyrën precize të procesit të prodhimit dhe kërkesën për punë manuale të specializuar.
Në një industri ku kërkohen procese shumë të sakta dhe standarde të larta teknike, trajnimi i brendshëm është bërë pjesë kyçe e funksionimit të kompanisë. Sipas kompanisë, përvoja e saj tregon potencialin që Kosova mund të ketë në industrinë mbështetëse automotive në Europë, ndërsa avantazhet kryesore mbeten fuqia e re punëtore, kostot konkurruese dhe gatishmëria për të mësuar teknologji të reja.
Kompania po operon në një moment kur prodhuesit europianë të industrisë automotive po kërkojnë të diversifikojnë bazën e furnizimit dhe të zhvendosin një pjesë të prodhimit më afër tregjeve europiane, pas goditjeve që zinxhirët globalë pësuan gjatë pandemisë dhe krizës energjetike. Ballkani Perëndimor po shihet gradualisht si një alternativë me kosto më të ulët krahasuar me Europën Qendrore, ndërsa Kosova po përpiqet të pozicionohet përmes kostos konkurruese të punës dhe popullsisë së re.
Por avantazhi i kostos nuk mjafton. Kompanitë që operojnë në këtë sektor përballen me mungesë të vazhdueshme të profileve teknike, inxhinierëve dhe punëtorëve të trajnuar për procese industriale. Shumica e trajnimeve realizohen brenda vetë kompanive, duke rritur kostot operative dhe kohën e adaptimit.
“Mungesa e profileve profesionale të specializuara dhe përvoja e kufizuar praktike në sektor vazhdojnë të jenë ndër sfidat kryesore për zhvillimin më të gjerë të industrisë automotive në Kosovë”, vlerëson MUNDA.
Rasti i Koshi Group
Një model tjetër po zhvillohet nga Koshi Group, kompani e specializuar në prodhimin e pjesëve dekorative automotive nga fibra karboni. Produktet e saj përdoren për marka si Fiat Abarth, Alfa Romeo dhe Lamborghini, ndërsa eksportet shtrihen në SHBA, Japoni dhe Bashkimin Europian.
Përmes rrjetit të distributorëve ndërkombëtarë dhe shitjeve direkte online, kompania ka ndërtuar një prani të qëndrueshme në segmentin e komponentëve premium automotive.
Fibra e karbonit konsiderohet material premium në industrinë automotive, për shkak të kombinimit të peshës së ulët dhe rezistencës së lartë – dy elemente kyçe në prodhimin e automjeteve sportive dhe elektrike. Sipas kompanisë, Kosova ka potencial të konsiderueshëm për t’u integruar më tej në industrinë mbështetëse automotive në Europë, sidomos në prodhimin e komponentëve nga fibrat e karbonit.
Koshi Group ka ndërtuar modelin e saj përmes prodhimit të personalizuar dhe shitjeve direkte online, duke shmangur pjesërisht kufizimet që kanë zakonisht kompanitë e vogla në tregjet periferike. Aktualisht, kompania punëson mbi 60 persona, por zgjerimi mbetet i lidhur ngushtë me disponueshmërinë e fuqisë punëtore të trajnuar.
Në mungesë të shkollave profesionale të specializuara për këtë sektor, aftësimi i stafit realizohet kryesisht brenda vetë kompanive, një model që po krijon gradualisht kapacitete të reja teknike në industri.
Migrimi i të rinjve po e ndërlikon situatën. Kompanitë prodhuese në Kosovë po konkurrojnë jo vetëm me tregjet rajonale për investime, por edhe me emigracionin e vazhdueshëm drejt vendeve të Bashkimit Europian, i cili po redukton bazën e krahut të punës të disponueshëm në ekonomi.
Në të njëjtën kohë, transformimi global i industrisë automotive po krijon edhe mundësi të reja. Kalimi drejt automjeteve elektrike po ndryshon strukturën tradicionale të furnizimit, duke krijuar hapësirë për kompani më të vogla që mund të specializohen në komponentë, materiale të lehta, sisteme ndriçimi apo elemente interieri.
Vetëm në dy muajt e parë të vitit 2026, në Kosovë u importuan 109 automjete elektrike, ndërsa 75% e tyre ishin import kinez, një tregues i zhvendosjes graduale të kërkesës drejt teknologjive të reja.
Për momentin, industria mbështetëse automotive në Kosovë mbetet e fragmentuar dhe me kapacitete të kufizuara. Nuk ekziston ende një ekosistem i plotë industrial me rrjet furnitorësh lokalë, qendra teknologjike apo shkolla profesionale të specializuara që mund të mbështesin zgjerimin më agresiv të sektorit.
Rastet e MUNDA dhe Koshi Group tregojnë se Kosova mund të krijojë rol në segmentet ku fleksibiliteti, kostoja dhe specializimi kanë më shumë rëndësi sesa shkalla e prodhimit.
Sfida tani është nëse këto kompani do të mbeten histori të izoluara suksesi apo do të shndërrohen në bazën e një industrie të re eksportuese, që mund ta lidhë ekonominë e Kosovës me zinxhirin e furnizimit të industrisë së automobilave në Europë apo edhe më gjerë.

Ecuria e tregut të automjeteve në Kosovë
Ndërsa industria mbështetëse automotive në Kosovë mbetet ende e kufizuar, vetë tregu i automjeteve po ndjek në mënyrë të dukshme tendencat globale.
Përfaqësuesi i kompanisë Toyota për Kosovën Bujar Hoxha, tregon se nga viti 2003 kur nisi realisht aktiviteti e deri më sot gjërat kanë ndryshuar. Në fillime aktiviteti kishte nisur me vetëm katër punëtorë, në një treg ku dominonin pothuajse tërësisht veturat e përdorura.
Më shumë se dy dekada më vonë, tregu ka ndryshuar gradualisht. Gjatë vitit 2025, në Kosovë u shitën rreth 4,400 vetura të reja, ndërsa Toyota aktualisht “punëson rreth 50 persona në sektorë si shitja, servisimi, diagnostika dhe shërbimi ndaj klientit”.
Kompania thotë se fokusi “nuk ka qenë vetëm shitja e automjeteve, por ndërtimi i një pranie afatgjatë përmes investimeve në standarde, teknologji dhe trajnim të stafit”.
Paralelisht, konkurrenca po ashpërsohet. Sipas Toyota-s, në tregun kosovar “konkurrenca është rritur ndjeshëm, sidomos nga importet e automjeteve koreane dhe markave kineze”, ndërsa dominimi i veturave të përdorura mbetet sfidë. Shenja më e qartë e ndryshimit është elektrifikimi: importet e veturave elektrike janë rritur nga 150 njësi në vitin 2022 në 590 në vitin 2025, ndërsa vetëm në dy muajt e parë të 2026-s u importuan 109 të tilla.
Për Toyota-n, një nga sfidat kryesore për të ardhmen mbetet “tranzicioni drejt elektrifikimit”, ndërkohë që politikat fiskale në Kosovë “ende nuk krijojnë lehtësira të mjaftueshme për automjetet me emetime më të ulëta”.
*Sefer Zogaj është gazetar i ekonomisë nga Kosova që angazhohet në tema makroekonomike dhe ato për drejtësi sociale





