Kryeministri Edi Rama foli këtë të diel në Podcastin e tij “Flasim”, teksa e nisi me faktin se Shqipëria do të drejtojë forumin “Forest Europe”.

“Shqipërisë i është besuar që të drejtojë Forest Europe. I është besuar nga Gjermania dhe vende të rëndësishme europiane. Kjo, sepse ne kemi bërë shumë për ta mbrojtur natyrën. Marrim stafetën nga Suedia, me bekimin e të gjitha vendeve të BE-së. Liqeni i Shkodrës është përfshirë në biosferën e UNESCO-s. Në Shqipëri qeveris një forcë që e mbron natyrën”, tha kryeministri.

Më tej, komentoi takimin me banorët e Zvërnecit. Rama deklaroi se shumë vende nuk e duan projektin në Zvërnec, sepse janë konkurrentë. Vlerësoi se protesta do të dëmtojë turizmin.

“Takova banorët në Zvërnec dhe vlen shumë më shumë se manipulimi nga çorba e ditëve të fundit. Atje takova njerëz, që u masakruan nga flamengot, ndërkohë që ata janë njerëzit që jetojnë në atë zonë. Takova ata që e kanë interesin drejtpërdrejtë mbi vendin aty, për të drejtën e tyre që të zhvillohen. Dhe njëherë Izraeli është futur kot fare në këtë mes, ndërkohë që investitorët kryesorë janë nga Katari. Disa e kanë me presidentin amerikan, të cilin gjysma e urrejnë dhe gjysma e duan. Disa vende nuk e duan projektin, sepse janë konkurrentë. Ka lloj-lloj njerëzish në protestë, ka djem dhe vajza që duan të shfryjnë pakënaqësitë e tyre. Por kjo turma normale kthehet në mijëra njerëz, mund të dëmtojë turizmin. Mbase mund të humbasim shumë turistë këtë vit. Projekti do të bëhet sepse është një e mirë për ekonominë tonë”, u shpreh kreu i qeverisë.

Foli edhe për aktivitetin me arkitektët më të mirë të botës në Tiranë.

“Festivali i bukës dhe i zemrës u mbajt në Tiranë, që sjell një numër të madh arkitektësh në Shqipëri. Janë arkitektë, të cilët kanë dhënë më të mirën e tyre në mbarë botën dhe që duan të japin këtë eksperiencë dhe në vendin tonë. Janë ekspertët më të mirë për të patur qendrat më të mira urbane. Por është demokraci, dikush zgjedh të punojë e dikush zgjedh të protestojë. Kjo është demokracia”, tha Rama.

U shpreh edhe për vizitën që zhvilloi në Tivat.

“Vizitova Tivatin në Malin e Zi. Porto of Montenegro është një top, që i ka kaluar për shalësh Shqipërisë dhe tashmë është investim shumë serioz në Malin e Zi. Shteti malazez nuk prodhon makina, por ka një turizëm të jashtëzakonshëm, që ndihmon ekonominë kombëtare atje. Ai investim atje do të bëhej në Durrës, por që e humbëm atë mundësi. Nuk mund të na humbasin investimet serioze të ndërkombëtarëve”, tha kryeministri.