Lëvizja Vetëvendosje ka dalë forca e parë politike në zgjedhjet e mbajtura në Kosovë, duke siguruar 43.47% të votave nga mbi 95% e votave të numëruara, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Pas Vetëvendosjes renditet Partia Demokratike e Kosovës me 21.40%, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.88%, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 7.19% të votave.

Megjithëse ka siguruar fitoren, Vetëvendosje ka shënuar rënie krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit, kur kishte fituar mbi 51% të votave. Rezultatet aktuale nuk përfshijnë ende votat e diasporës, të cilat pritet të numërohen në vijim.

Pjesëmarrja në votime ishte rreth 35%, më e ulët se në zgjedhjet e mëparshme, kur kishin votuar rreth 45% e qytetarëve me të drejtë vote. Ndërkohë, Policia e Kosovës njoftoi se procesi zgjedhor është zhvilluar i qetë dhe pa incidente që do të cenonin mbarëvajtjen e zgjedhjeve.