Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur mbështetjen e tij për protestat qytetare, duke i cilësuar ato si një reagim të brezit të ri dhe të shoqërisë civile.

Në një video-mesazh të publikuar në Facebook, Berisha deklaroi se Partia Demokratike mbështet çdo protestë qytetare, duke theksuar se pjesëmarrja në këto tubime ka qenë e hapur për të gjithë qytetarët që e konsiderojnë kauzën të drejtë.

Ai e cilësoi protestat si një shenjë të qartë të pakënaqësisë qytetare dhe si një thirrje për ndryshim, duke theksuar rolin e të rinjve dhe të asaj që e quajti “brezi dixhital”.

“Qëndrimi i Partisë Demokratike ndaj protestës ka qenë, ne mbështesim çdo protestë dhe në këtë protestë kanë marrë pjesë pa asnjë lloj kufizimi të gjithë ata që e kanë konsideruar kauzë të drejtë për të protestuar. Përsa i përket kërkesave, unë i pashë pesë kërkesat e përfaqësuesve, kjo është protestë qytetare dhe e tillë është e vërteta e saj, e shoqërisë civile, kanë treguar një shkallë ndërgjegjësimi shumë të lartë. Është brezi dixhital, është brezi i informacionit të gjerë, brezi i urtësisë artificiale”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, zhvillime të tilla tregojnë një nivel të lartë ndërgjegjësimi shoqëror dhe një angazhim më të madh të qytetarëve në jetën publike.