Kryeministri Edi Rama u ndal këtë të hënë në Shkodër, në kuadër të turit të takimeve për 35-vjetorin e Partisë Socialiste. Në aktivitetin e zhvilluar në Kalanë e Shkodrës me mbështetës dhe anëtarë të PS-së, Rama komentoi edhe protestat e fundit të zhvilluara në Tiranë.
Rama u ndal te kritikat e ngritura për mbrojtjen e mjedisit, duke argumentuar se PS ka ndërmarrë politika që kanë kontribuar në mbrojtjen e natyrës dhe jo vetëm.
“Ti thuash kësaj qeverie dhe mua në kryes të saj çfarëdo lloj gjëje që ka lidhje me tradhëtinë, mund të quhesh komplet i pafytyrë, pa iman, pa fe dhe pa atdhe. Mund të flasësh për atdheun por ata që i kanë bërë gjëmat më të mëdha atdheut janë ata që atdheun e kanë mabjtur në gojë më shumë sesa të tjerët.
Atdheu është për tu mbajtur në zemër dhe në mendje, jo në gojë.
Shqipëria e shqiptarëve, vdekje e tradhtarëve është një parullë që ka frymëzuar dhunën dhe hatanë që i ndodhi një vendi aq të madh sa Gjermania. Sot kjo parullë të çon mishin kokërr. Kulmi vjen kur na quajnë ne shkatërrimtar. Më thonë se kanë dalë njerëz që janë tanët, që votojnë PS-në, po cfarë bëjnë akoma sot atje dhe dyshoj që janë të tillë. Po mbrojnë Shqipërinë dhe natyrën nga PS?
Ne kemi me vete një histori 10-vjeçare e pak më shumë të luftës për të mbrojtur natyrën nga ata që ishin rreziku më i madh i saj. Nuk jemi shkatërrimtar, jemi shpëtimtarët. Duket fjalë e madhe e tepruar por po të kishin gojë të flisnin flamingot që këta po i dalin për zot, do tregonin historinë e tyre të hidhur. Janë zogj shtegtar, ata nuk kanë një habitat të përhershëm në Shqipëri. I priste pushka e çiftja. Sot pelikani kaçurrel është specie e mbrojtur që qëndron dhe shtohet në Shqipëri ndërkohë që përpara ndalimit të gjuetisë që bëmë, edhe pelikani kaçurel ishte shënjestër. Sikur të shikohet Shqipëria nga lart, foto satelitore të Shqipërisë duke krahasuar ato të dikurshmet me të sotshmet…”, u shpreh Rama.
Kryeministri solli gjithashtu shembuj transformimin e qyteteve si Shkodra, Vlora dhe Tirana, të cilat, sipas tij, kanë përfituar nga investimet dhe zhvillimi ekonomik. Duke iu referuar debatit për Paketën e Maleve, Rama tha se nismat e qeverisë synojnë zhvillimin e vendit dhe jo dëmtimin e tij.
“Në dalim shkatrrimtarët, për të na vënë këtë akuzë, duhet të na tregojnë çfarë është shkatërruar. Shkodra pas kaq shumë vitesh po merr frymë dhe është bërë një destinacion turistik, rritet vit pas viti dhe pastaj sjell më shumë të ardhura për ata që kanë aktivitetet e tyre këtu.
Shkatërruam Vlorën? Apo Tiranën? Po me Paketën e Maleve çfarë kanë? Këta thonë ta mbrojmë Shqipërinë nga të huajt, ta shpëtojmë Shqipërinë nga Paketa e Maleve. Ka kohë më Shqipëria të humbasë?”, tha Rama.





