Fatin e shkollave 9-vjeçare të shembura javët e fundit në qytetin e Durrësit për t’u ndërtuar nga e para, do ta kenë edhe dy gjimnazet më të vjetra dhe më me emër; “Gjergj Kastrioti” dhe “Naim Frashëri”.
Lajmi konfirmohet për “DurrësLajm” nga bashkia, por të njëjtat burime saktësojnë se ende nuk ka një datë se kur do të ndodhë ky proces, pasi po mendohet paraprakisht akomodimi i nxënësve dhe gjimnazistëve, për të mos krijuar kaos në nisjen e vitit të ri arsimor 2020-2021.
Paraprakisht vendimi për shëmbjen e tyre do të kalojë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak dhe vetëm më pas do të procedohet me procesin e shembjes dhe rindërtimit.
Aktualisht, brenda në qytet janë 5 shkolla 9-vjeçare të shembura “Neim Babameto”, “Hasan Koçi”, “Shaqe Mazreku”, “Bedrie Bebeziqi” dhe “Qemal Mici”. Ndërkohë në njësitë administrative janë shembur të tjera shkolla si në Rrashbull, Sukth etj.
Shembja e dy shkollave të mesme të përgjithshme të qytetit deri më tani po mendohet të bëhet në një fazë të mëvonshme, pasi të kenë përfunduar së ndërtuari shkollat e shembura tashmë.
Vlen të theksohet se shkolla “Neim Babameto” ishte e para që u shemb vetëm disa ditë pas tërmetit, por sot kur po mbushen rreth 7 muaj nga tërmeti ende nuk kanë nisur punimet për rindërtimin e saj.
Burime nga bashkia bëjnë të ditur se procedurat janë në proces tenderimi dhe është Fondi Shqiptar i Zhvillimit njësia zbatuese e projekteve për rindërtimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti në Durrës.
Asnjëra nga shkollat e shembura nuk do të jetë gati për vitin e ri shkollor, dhe nëse nuk nisin punimet së shpejti rrezikojnë të mos kenë mbaruar së ndërtuari në përfundim të 2020-s.
M.B.





