Teuta po vijon lëvizjet në merkaton e verës, duke punuar si për afrime ashtu edhe për largime. Mbrojtësi Harallamb Qaqi ka mbyllur bashkëpunimin me klubin pas përfundimit të kontratës, në kuadër të rinovimit të repartit defensiv.
Deri tani, durrsakët kanë zyrtarizuar vetëm mbrojtësin Abdurrahman Fangaj, por drejtuesit janë pranë finalizimit të disa marrëveshjeve të tjera që pritet të rrisin cilësinë e skuadrës.
Synimi është që grupi të jetë pothuajse i kompletuar përpara nisjes së fazës përgatitore më 22 qershor. Njëkohësisht, Teuta ka ruajtur bërthamën e ekipit të sezonit të kaluar, me lojtarë si Selmani, Kotobelli, Zogos, Jazxhi, Përgjoni, Toli, Maçolli, Votlai, Arifi dhe Boçi që do të mbeten pjesë e projektit. Objektivi i klubit është ndërtimi i një skuadre më konkurruese, që të luftojë për pozitat e larta dhe jo më për mbijetesë.





