Kampioni i botës me Gjermaninë në vitin 1990, Jurgen Klinsman është shprehur se kombëtarja braziliane është favoritja për të fituar Kupën e Botës 2026, duke lartësuar profilin e Karlo Ançelotit si trajneri ideal për kombëtaren “seleçao”.ancIsh-sulmuesi i skuadrës gjermane tha për ESPN se Brazili ishte “i guximshëm” për të sjellë një trajner të një kombësie tjetër për të udhëhequr skuadrën dhe se italiani ka shumë bagazhe për të nxjerrë “kanarinat” nga “zona e rehatisë”.

“Për mua, Brazili është favorit, për mua është skuadra numër një në këtë Kupë Bote. Unë me të vërtetë mendoj se Karlo Ançeloti i nxori ata nga zona e tyre e rehatisë. Është hera e parë që Brazili punëson një trajner nga jashtë, diçka që kombet e tjera të mëdha nuk kanë guximin ta bëjnë, si Italia. Dhe mendoj se nëse dikush mund të merret me të gjitha çështjet e futbollit brazilian, është Karlo Ançeloti. Kjo sepse ai ka pikërisht atë lloj karakteristike dhe personaliteti, që jep kaq shumë gëzim, kaq shumë energji dhe besim, vërtet besim, sepse ai ka dëshmuar gjithçka. Ai tashmë ka fituar gjithçka si trajner”, tha Klinsman.

Ish-Kampioni i Botës me Gjermaninë vlerësoi gjithashtu mbrojtjen e kombëtares braziliane dhe përmendi Nejmar, i cili mund të jetë një pjesë e rëndësishme për ekipin që hyn gjatë ndeshjeve. “Unë mendoj se, ndoshta, në ndeshjen e dytë, të tretë ose të katërt, duke sjellë Nejmar nga stoli, i gjithë stadiumi do të vibrojë. Do të jetë e mahnitshme. Dhe në mbrojtje, ata më duken të fortë. Ata kanë shumë përvojë në atë anë dhe janë shumë të uritur për fitore. Ata duhet të luajnë tetë ndeshje për të fituar këtë Kupë Bote”, përfundoi ai.