Gazetari i njohur durrsak, Thanas Mustaqi, përmes një postimi në rrjete sociale, bën disa rekomandime për Qendrën Muzeore Durrës dhe bashkinë e qytetit për të vlerësuar siç duhet figurën e arkeologut Vangjel Toçi

Duke marrë shkas nga një status i Qendrës Muzeore, Mustaqi nënvizon se ky institucion duhet të ndërmarrë disa hapa për nderimin e kësaj figure shumëdimensionale për qytetin e Durrësit, pikërisht këtë vit kur do të përkujtohet 100-vjetori i lindjes së tij.

Mustaqi rekomandon që emrin e Vangjel Toçit ta mbajë Muzeu Arkeologjik, njëkohësisht një rrugë apo shesh i qytetit të mbajë emrin e tij, t’i propozohet presidentit Ilir Meta ta nderojë me titullin “Nderi i Kombit” dhe të derdhet në bronx instatalacioni i skulptorit Qazim Kërtusha kushtuar Vangjel Toçit.

Postimi i plotë i gazetarit Mustaqi:

Qendra Muzeore Durrës të bëjë detyrën funksionale ndaj Vangjel Toçit

Në një status të gjerë të 11 qershorit 2020, kushtuar arkeologut Vangjel Toçi (1920-1999), Qendra Muzeore Durrës shkruan:
“Shumëkush nuk e kupton arsyen përse në Durrës nuk ka një shesh apo një rrugë qendrore me emrin “Vangjel Toçi”, apo përse vazhdon ngurrimi për t’i dhënë emrin e tij Muzeut Arkeologjik, të cilin ai gjithashtu e themeloi 63 vjet më parë”.
Shumë mirë që e ngre këtë problem, por mendoj se këto Qendra Muzeore Durrës t’ia kërkojë vetes dhe të bashkëpunojë me pushtetin vendor.
Së pari, Qendra Muzeore dhe Bashkia Durrës të bëjnë letrat dhe t’u kërkojnë Ministrisë së Kulturës dhe Akademisë së Shkencave miratimin e vënies së emrit “Vangjel Toçi” muzeut arkeologjik.
Së dyti, Qendra Muzeore dhe Bashkia Durrës të hartojnë relacionin përkatës dhe t’ia dërgojnë institucionit të Presidentit të Republikës për titullin “Nderi i Kombit” (në Kosovë e vlerësonin jashtëzakonisht në vitet 1970-1990 për listën e emrave ilirë, me të cilët u “pagëzuan” me qindra foshnja).
Së treti, t’i kërkohet Bashkisë Durrës që “një sheshi apo një rruge qendrore” t’i vihet emri “Vangjel Toçi”.
Së katërti, të gjendet nga Bashkia mundësia e financimit të derdhjes në bronz të instatalacionit të skulptorit Qazim Kërtusha kushtuar Vangjel Toçit (në foto).