Lëvizja Vetëvendosje ka rritur në 51 numrin e mandateve në Kuvendin e Kosovës, pas procesimit të rreth 20 për qind të votave të ardhura me postë nga diaspora.

Nga votat e numëruara deri tani jashtë vendit, kjo forcë politike ka siguruar mbi 69 për qind të mbështetjes.

Mandati i 51-të vjen si ulësja e tretë shtesë që Vetëvendosje ka fituar falë votës së diasporës. Në rezultatin fillestar të zgjedhjeve të numëruara brenda Kosovës, partia kishte siguruar 48 deputetë.

Dy mandatet e para të fituara nga votat me postë u morën në kurriz të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila mbetet me 23 ulëse, dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, që ka 19. Ndërkohë, mandati i tretë është marrë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila zbret në 7 deputetë nga 8 që kishte sipas projeksioneve të mëparshme.

Nëse ritmi aktual i numërimit vazhdon edhe në pjesën e mbetur të votave të diasporës, Vetëvendosje mund të sigurojë të paktën edhe një mandat shtesë në legjislaturën e re.

Sipas rezultateve të deritanishme, Vetëvendosje kryeson me 44.6 për qind të votave, e ndjekur nga PDK me 20.5 për qind, LDK me 17.26 për qind dhe AAK me pak më pak se 7 për qind.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar rreth 85 mijë zarfe me vota nga diaspora, ndërsa deri më tani janë përpunuar afro 11 mijë prej tyre.

Për formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nevojiten të paktën 61 vota, ndërsa për zgjedhjen e presidentit kërkohet pjesëmarrja e minimumi 80 deputetëve në votim. Pikërisht mosarritja e këtij kuorumi ishte një nga arsyet që çoi Kosovën në zgjedhjet e 7 qershorit.