Polonia ngriti në ajër avionët luftarakë gjatë natës pas sulmeve të reja ruse në Ukrainë, duke rritur nivelin e gatishmërisë pranë kufirit lindor të NATO-s.
Sipas ushtrisë polake, fillimisht u raportua për një ndërhyrje të mundshme në hapësirën ajrore të vendit, çka bëri që forcat ajrore të aktivizoheshin menjëherë. Megjithatë, pas verifikimeve të kryera, autoritetet ushtarake sqaruan se nuk ishte regjistruar asnjë shkelje e hapësirës ajrore polake.
Polonia, e cila kufizohet me Ukrainën dhe është një nga mbështetëset kryesore të Kievit që prej fillimit të luftës, ka vendosur disa herë forcat e saj në gatishmëri për shkak të operacioneve ushtarake ruse pranë territorit të saj.
Ngjarja vjen në një kohë kur sulmet ajrore ruse ndaj Ukrainës vijojnë të mbajnë të lartë shqetësimin për sigurinë në rajon.





