Policia e Shtetit ka nisur procedim penal ndaj 19 personave të dyshuar si organizatorë dhe pjesëmarrës në bllokimin e aksit rrugor drejt Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, gjatë protestës qytetare të zhvilluar mbrëmjen e 14 qershorit.
Sipas autoriteteve, protesta e nisur në sheshin “Skënderbej” dhe më pas para Kryeministrisë u zhvendos drejt autostradës Tiranë-Durrës dhe rrugës së Rinasit, ku u bllokua qarkullimi i automjeteve për disa orë. Pas veprimeve hetimore, Policia procedoi 19 shtetas për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.
Ndërkohë, autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë pasur rol në organizimin e bllokimit të rrugës drejt aeroportit.





