Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro njoftoi se provimi i Matematikës i Maturës Shtetërore 2026 u zhvillua me sukses në 144 qendra provimi në të gjithë vendin, duke u karakterizuar nga standarde të larta organizimi dhe integriteti.

Në një reagim në rrjetet sociale pas përfundimit të procesit, ministrja shprehu mirënjohjen për të gjithë personat e angazhuar në administrimin e provimit.

“Dua të shpreh mirënjohjen për mbi 2 mijë administratorë provimesh, mësues, drejtues shkollash dhe stafet e Ministrisë së Arsimit, të cilët me profesionalizëm dhe përkushtim garantuan mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm për maturantët tanë,” u shpreh Kumbaro.

Sipas saj, falë bashkëpunimit të institucioneve përgjegjëse dhe respektimit të procedurave në çdo hallkë të procesit, provimi u zhvillua në një atmosferë të qetë dhe të rregullt.

“Koordinimi i shkëlqyer mes institucioneve dhe zbatimi me korrektësi i rregullores bënë të mundur zhvillimin e provimit sipas standardeve më të larta të integritetit dhe transparencës. Tashmë ka nisur administrimi dhe përpunimi i materialeve të provimit, në përputhje me procedurat e përcaktuara”, theksoi ministrja.

Kumbaro bëri të ditur gjithashtu se gjatë zhvillimit të provimit janë evidentuar dy raste të shkeljes së rregullores.

“Keqardhje për dy nxënës, të cilët gjatë këtij provimi thyen rregulloren duke tentuar të përdornin celular, por që u identifikuan dhe u përjashtuan menjëherë nga provimi,” deklaroi ajo.

Në përfundim, ministrja përgëzoi maturantët për seriozitetin dhe përgjegjshmërinë e treguar gjatë këtij procesi.

“Të dashur maturantë, përgëzime për seriozitetin, angazhimin dhe respektimin e rregullores se Maturës Shtetërore. Tani forca në provimin e radhës!”, përfundoi Kumbaro mesazhin e saj drejtuar 26,600 maturantëve.