Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë 53-vjeçari Luan Çota, i cili mbeti i plagosur rëndë pas një aksidenti rrugor të ndodhur disa ditë më parë në fshatin Funarës të Librazhdit.

Aksidenti ndodhi në afërsi të qendrës së fshatit, në Njësinë Administrative Orenjë, kur automjeti me të cilin udhëtonte viktima doli nga rruga dhe u përplas me pemët anës saj.

Sipas informacioneve paraprake, mjeti drejtohej nga Besnik Laçku, i cili dyshohet se humbi kontrollin e automjetit gjatë lëvizjes. 

Si pasojë e përplasjes, dy personat që ndodheshin në mjet mbetën të plagosur, ndërsa 53-vjeçari mori dëmtime të rënda dhe u transportua fillimisht në spitalin e Librazhdit, më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Nga verifikimet e kryera pas aksidentit, policia ka konstatuar se drejtuesi i automjetit dyshohet se ishte nën efektin e alkoolit. 

Ai është shoqëruar nga uniformat blu, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.