Agjencia Kombëtare e Bregdetit ka ndërmarrë një aksion në të gjitha plazhet e Vlorës për lirimin e hapësirave publike të zëna në kundërshtim me rregullat.
Gjatë kontrolleve janë konstatuar dhjetëra subjekte që kishin vendosur çadra dhe shezlongë mbi numrin e lejuar në kontratat dhe lejet përkatëse. Si rezultat, autoritetet kanë sekuestruar çadrat e vendosura në mënyrë të paligjshme dhe kanë bërë të mundur lirimin e hapësirave publike në favor të pushuesve.
Sipas AKB-së, aksioni do të vijojë edhe në ditët në vijim në të gjithë vijën bregdetare, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Policinë Bashkiake, me qëllim garantimin e respektimit të ligjit dhe aksesit të lirë të qytetarëve në plazhet publike gjatë sezonit turistik.





