Situatë kaotike në portin e Durrësit për transportin e kontejnerëve.
Videot amatore që kanë mbërritur në redaksinë e “DurrësLajm” dëshmojnë rradhët e gjata të kamionëve, që presin për orë të tëra, nën temperaturat përvëluese, pasi në terminalin e kontejnerëve, procesi i nagrkim – shkarkimit ecën me ritme mjaft të ngadalta.
Sipas shoferëve të kamionëve, shkak për këtë duket se është bërë fakti se ka pak mjete në punë për ngarkim-shkarkimin e kontejnerëve, dhe ata e kanë të pamundur të përballojnë volumin e punës të krijuar në terminal.
“Mirëmengjesi po dhe sot e njejta pun sikur dje ne portin e Durresit. Terminali brenda i bllokuar fare qe ne oren 8 dhe nuk na ngarkojn. Kan vetem 2 stakera qe na torturojne neve. Na e moren shpirtin
Te lutem beje lajm..Jam shofer kamjoni”,- shkruan njëri prej denoncuesve.
Në pamjet filmike, duket radha e gjatë e kamionëve brenda portit më të madh në vend, që presin të futen në terminal.
Ndërkohë, situatë mjaft e rënduar duket edhe brenda terminalit, i cili është i mbushur me kamionë dhe kontejnerë dhe vetëm një mjet në punë, që kryen ngarkim-shkarkimin.
Një tjetër denoncues shkruan:
“Prsh si je? Të lutem beje publike, kemi dy jave qe po vuajm ne portin e Durresit per te hy me ngarku kontejner. Shkak eshte qe ka vetem 3 risteka qe ngarkojne kontejneret dhe ktu ne port hyjn gjer ne 500 kamiona dhe kshu qe nje pjes e madhe nga sot mbesin qe te ngarkojne neser ne mgjes se ne 8 mbyllet porti. Kjo eshte vetem nje pjes
Ne hyrje te portit pastaj fillon radha tjeter tek hyrja terminalit te kontejnereeve. Po e vuajme cdo dite per fajin e shtetit qe nuk blen risteka per ngarkimin e kontejnereve. 4 risteka me 500 kontejner qe dalin ne dit eshte shum keq”.
Porti i Durrësit është i vetmi port në Shqipëri, që përpunon njësitë TEU (kontejnerët) për import dhe eksport me anije dhe fenomeni i radhëve të gjata nuk është i panjohur për autoritetet portuale, prej muajsh dhe vitesh tashmë.
Problematikat me mjetet e ngarkim – shkarkimit (stacker dhe ristacker), të cilat herë prishen, herë kanë nevojë për riparim dhe asnjëherë nuk janë mjaftueshëm për t’iu përgjigjur kërkesave reale, që terminali ka për përpunimin e shpejtë efikas dhe pa vonesa duket se kanë rënë në vesh të shurdhër të Autoritetit Portual, që menaxhon terminalin në fjalë.
Emergjenca kombëtare në portin e Durrësit
Në fund të muajit prill, operatorët ekonomikë që ushtrojnë aktivitetin në portin e Durrësit e konsideruan “Emergjencë kombëtare ” situatën e krijuar në terminalin e kontejnerëve dhe ju drejtuan me kërkesa konkrete APD-së.
Në deklaratat e tyre për “DurrësLajm”, një nga kërkesat primare që operatorët ekonomikë i parashtruan APD-së në prill lidhej me zgjerimin në mënyrë urgjente të hapësirave fizike në Terminalin e Kontejnerëve.
Sipas operatorëve, problemi qëndronte tek mos menaxhimi i duhur nga ana e APD-së e këtij terminali.
Sipas operatorëve ekonomikë, krahas lirimit të hapësirave në tërminal, APD duhet urgjentisht të rrisë kapacitetet e pajisjeve të saj për përpunim anijesh dhe evadim konteinerësh, pasi procesi i përpunimit të anijeve dhe koha e pritjes në radë është shumë e gjatë.
Operatorët deklaruan se vinçat funksionalë kryejnë 8 lëvizje në orë, në një kohë që minimalisht duhet të kryejnë 15 lëvizje në orë.
Një kërkesë tjetër që i është adresuar disa herë Autoritetit Portual, por deri më tani nuk ka marrë zgjidhje është kapaciteti i Reach Stacker-ve, që operojnë në teminal.
Në tryezat e dialogut, operatorët kanë kërkuar që minimalisht nuk duhet të ketë më pak se 8 reach stacker për ngarkim – shkarkim kontejnerësh plot dhe 2 për ngarkim – shkarkim kontejnerësh bosh.
Por sot kur data shënon 23 qershor, duket se situata nuk ka ndryshuar aspak nga ajo, që regjistrohej 2 muaj më parë.
M.B.





