Numri i të punësuarve arriti në 1.17 milionë persona në vitin 2025. Krahasuar me vitin parardhës, numri i tyre ka pësuar një rënie të lehtë prej 0.4%. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, shifra tregon se shkalla e papunësisë për moshën mbi 15 vjeç zbriti në 8.4%, nga 8.5% një vit më parë.
Megjithatë, tregu i punës vijoi të karakterizohet nga diferenca të ndjeshme gjinore. Papunësia për gratë është 9.7%, krahasuar me 7.3% për burrat. Ndërkohë, vetëm 62.7% e grave në moshë pune janë të punësuara, kundrejt 76% të burrave, duke krijuar një hendek punësimi prej 13.3 pikë përqindje.
Një tjetër tregues pozitiv është rritja e pagave. Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë arriti në 84,100 lekë gjatë vitit 2025, ose 8.6% më shumë se një vit më parë. Në të njëjtën kohë, hendeku gjinor në paga u ngushtua në 4.6%, nga 4.9% që ishte në vitin 2024, megjithëse meshkujt vijojnë të paguhen mesatarisht më shumë se femrat.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se 12.6% e të punësuarve kishin pagë minimale, 14.4% pagë mbi 120 mijë lekë dhe 25.3% paguheshin ndërmjet 60 dhe 90 mijë lekëve në muaj.
Sipas strukturës, punësimi dominohet nga sektori i shërbimeve dhe bujqësia, ku 47% e të punësuarve janë të angazhuar në sektorin e shërbimeve, ndërsa 34% në bujqësi.
Në tërësi, të dhënat e vitit 2025 tregojnë një treg pune më të qëndrueshëm, me papunësi në rënie, paga në rritje dhe më pak informalitet.





