Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mund të unifikohet dhe t’i ofrojë votat e 18 deputetëve të saj në Kuvendin e Kosovës, nëse Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese e zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit, i ofron postin e presidentit në një marrëveshje të mundshme politike.

Kështu deklaroi nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili theksoi se votat e partisë mund të sigurohen vetëm në rast se kandidati për president vjen nga radhët e LDK-së.

“Në rast se ky emër është Lumiri [Abdixhiku] ose emri im, atëherë mund të unifikohemi. Lumirit i bie të jetë i pari, sipas detyrës zyrtare, sepse është kryetar. Pas Lumirit, konsensus më të madh kam unë”, tha Haziri.

LDK në zgjedhjet e 7 qershorit garoi me Vjosa Osmanin si kandidate për presidente dhe Lumir Abdixhikun si kandidat për kryeministër, duke siguruar gjithsej 18 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Megjithatë, Haziri u shpreh se për kandidaturën e Osmanit nuk pritet mbështetje e plotë brenda partisë, duke theksuar se votat mund të ndahen si në raste të mëparshme.

“Mund të jetë sikur herën e kaluar, dy-tri vota mund të ndahen, por në rastin e Lumirit ose rastin tim, mund të unifikohemi”, shtoi ai.