Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo, ka reaguar lidhur me qëndrimin e PD-së ndaj kërkesave të protestës qytetare. Ajo thekson se çdo petendim i aluduar është e pavërteta dhe e manipuluar.

Garo shtoi se Partia Demokratike dhe Sali Berisha mbështesin plotësisht pesë kërkesat e paraqitura nga përfaqësuesit e protestës rinore, si dhe kërkesat e tjera të ngritura nga tribuna e saj publike.

“Lidhur me mashtrimet e mediave të qeverisë, sipas të cilave PD dhe Berisha nuk mbështesin 5 kërkesat e protestuesve, deklaroj se ky është një trillim i pastër.

Berisha dhe PD mbështesin plotësisht pesë kërkesat e paraqitura nga përfaqësuesit e protestës rinore qytetare, si dhe kërkesat e paraqitura së fundmi nga tribuna e saj për opinionin publik. Edi Rama, përmes mediave të tij, me qëllim të keq për të sulmuar protestën dhe kërkesat e drejta, i konfondon ato me prononcime individuale të ndonjë protestuesi, duke i paraqitur si qëndrime të vetë protestës rinore qytetare.

Me këtë rast, PD dënon këtë praktikë trillimi e manipulimi të Ramës dhe qeverisë së tij, si dhe kërkon dorëheqjen e tij të menjëhershme, dhe pranimin e kërkesave të paraqitura zyrtarisht nga përfaqësuesit e protestës rinore qytetare”, tha Floriana Garo.