Villa Certosa, rezidenca e famshme në Gallura e ish-kryeministrit italian Silvio Berlusconi, është blerë nga dinastia mbretërore e Katarit për 350 milionë euro.

Kompania Immobiliare Idra, pjesë e grupit Fininvest, ka konfirmuar se ka pranuar një ofertë detyruese për shitjen e pronës.
Marrëveshja është mbyllur nga familja Berlusconi, e cila fillimisht e kishte nxjerrë në shitje për 500 milionë euro.Villa Certosa kalon tashmë në pronësi të familjes Al Thani, dinastia mbretërore që drejton Katarin prej më shumë se 150 vitesh.

Prona është e rrethuar nga një park i madh dhe përfshin shtatë pishina të jashtme, një spa, vila për mysafirët, cottage, fusha futbolli dhe golfi, kënde lojërash për fëmijë, një kopsht me bimë medicinale, heliport, një vullkan artificial, bunker atomik dhe një zonë të dedikuar për talasoterapi. E vendosur përballë Gjirit të Marinellës, Villa Certosa konsiderohet një nga pronat private më luksoze në Itali. Në këtë rezidencë kanë qëndruar krerë shtetesh dhe qeverish, aleatë politikë të Berlusconit dhe sipërmarrës të njohur ndërkombëtarë.