Riafrimi i Edinson Kavanit me Atletikon e Madridit, ku e pret një kontratë trevjeçare si transferim me parametër zero, hap një opsion të ri të merkatos interiste: Alvaro Morata, sulmues spanjoll që “Colchoneros” duhet ta shlyejnë nga Çelsi pas huazimit duke paguar 55 milionë euro.
Afrimi i “Matador” në skuadrën e Diego Simeones, sipas raportimit të djeshëm të mediave italiane, bën të shitshëm ish-juventinin, normalisht për një shifër të përafërt.
Manovrat e mëdha në aksin Paris-Londër-Madrid tani i interesojnë edhe klubit zikaltër, që po “kthen përmbys” merkaton në kërkim të një zëvendësuesi të mundshëm të Lautaro Martinezit nëse ky i fundit do të vendoste përfundimisht t’i bashkohej Leo Mesit te Barcelona. Interit, për fatin e tij të keq, i është dashur të përtypë zgjedhjet e marra nga Timo Verner (Çelsi), Dris Mertens (përjetë te Napoli) dhe, pikërisht, Kavani.
Është shkruar për Andrea Belotin, i pëlqyer shumë nga Konte, por i pashitshëm për Torinon; diskutimi nuk vlen për Federiko Kiezën, për të cilin megjithatë Juvja është në avantazh. Në Londër për Obamejang situata mbetet e lëkundur (ndërsa Lakazet nuk e bind Konten); ndërsa për Musa Dembelenë, zbulimin e Lionit, Mançester Junajtid është shumë përpara për të tentuar tani një “përmbysje”.
Ndërsa ajo për Moratën është një derë e re që po hapet dhe Atletiko është informuar për interesimin e zikaltërve. Në krahun tjetër Morata e njeh mirë kampionatin italian, pasi militoi te Juventusi (por me Alegrin) mes viteve 2014-2016, nga të cilat mban në memorie edhe një finale të Champions-it (të humbur kundër Barçës). E kushedi nëse vetë sulmuesi do të ketë nostalgji për Italinë.





