SHBA dhe Irani pritet të nisin nesër një raund të ri negociatash teknike në Doha, në një përpjekje për të ulur tensionet e ashpra të ditëve të fundit që rrezikuan të bllokonin plotësisht procesin e paqes. Lajmin e bëri të ditur presidenti amerikan, Donald Trump, përmes një postimi në platformën e tij Truth Social.

Pavarësisht deklaratës së prerë të presidentit amerikan, nga pala iraniane situata mbetet e paqartë. Deri më tani nuk ka pasur asnjë konfirmim zyrtar nga Teherani, ndërsa vetëm pak orë para njoftimit të Trumpit, një zyrtar i lartë iranian kishte pretenduar se nuk kishte asnjë plan për bisedime të natyrës teknike.

Pavarësisht deklaratave publike, lëvizjet në prapaskenë po vazhdojnë. Një burim i njohur me negociatat konfirmoi për median NBC News se ekipet teknike, të cilat punojnë për zbatimin e marrëveshjes fillestare, janë planifikuar vërtet të takohen në kryeqytetin e Katarit.

Ai shtoi se kanalet e komunikimit të krijuara posaçërisht për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm mbeten ende funksionale dhe se bisedimet do të vazhdojnë. Ky zhvillim vjen menjëherë pas një fundjave me sulme të ndërsjella që dëmtuan seriozisht përpjekjet për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme për t’i dhënë fund luftës.