Pesë ditë pas tërmeteve shkatërruese që goditën Venezuelën, ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet në shtetin La Guaira, ndërsa mijëra persona kanë mbetur pa strehë.
Një pasgoditje me magnitudë 4.6 ka shkaktuar panik edhe në kryeqytetin Karakas.
Shpresat për të gjetur të mbijetuar po zbehen, ndërsa numri i viktimave ka tejkaluar 1,700, raportojnë mediet ndërkombëtare. Operacionet e kërkim-shpëtimit janë përqendruar kryesisht në La Guaira, zona që ka pësuar dëmet më të mëdha nga dy tërmetet e fuqishme.
Sipas agjencive humanitare, 72 orët e para pas një fatkeqësie natyrore janë vendimtare për shpëtimin e jetëve. Megjithatë, mundësia për të gjetur të mbijetuar mbetet, nëse personat e bllokuar kanë pasur qasje në ujë dhe ushqim.
Ndërkohë, sfida më e madhe po zhvendoset drejt fazës së rimëkëmbjes. Mijëra familje kanë humbur banesat e tyre, ndërsa mbeten pikëpyetje mbi aftësinë e qeverisë, e cila përballet me vështirësi të mëdha ekonomike, për të menaxhuar një operacion ndihme që mund të zgjasë për vite.





