Pas më shumë se një jave në kolaps me trajtimin e plehrave të Durrësit dhe mosgjetjen e një vendgrumbullimi për to, situata duket se po shkon drejt zgjidhjes.
“DurrësLajm” mëson se Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të marrë masat e nevojshme për mbulimin me fonde shtesë për bashkinë Durrës në trajtimin e mbetjeve urbane në vitin buxhetor 2020.
Bashkia e Durrësit ka qenë në bisedime gjatë këtyre ditëve me qeverinë për të gjetur një zgjidhje sa i përket fondit shtesë për t’i dërguar plehrat e Durrësit drejt landfillit të Sharrës.
Nga burime të brendshme nga bashkia e Durrësit, “DurrësLajm” mëson se të hënën më 8 qershor, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka shprehur gatishmërinë për avancimin e transfertës së pakushtëzuar të shpërndarë për bashkinë Durrës sipas tremujorëve për vitin 2020, me qëllim zgjidhjen e emergjencës imediate të krijuar me trajtimin e mbetjeve urbane.
Një ditë më parë, edhe kryeministri Rama sqaroi se brenda javës do të firmoset marrëveshja me bashkinë e Durrësit dhe në këtë mënyrë mbetjet e qytetit bregdetar do të shkojnë në landfillin e Sharrës.
“Situata do të stabilizohet brenda pak ditësh. Na u desh që të rrisnim presionin mbi bashkinë e Durrësit për këtë marrëveshje të rëndësishme. Edhe bashkia në Durrës kishte ngurrim për shkak të mbulimit të kostos së transportit. Javën e ardhshme do të kthehet normaliteti”, tha Rama.
Kaosi me plehrat e Durrësit nisi pas mbylljes së vendgrumbullimit në Porto-Romano për shndërrimin e këtij të fundit në Eko Park, dhe protestave të banorëve të Manzës e Sukthit, të cilët nuk ishin dakord që plehrat të depozitoheshin pranë zonave ku ata banojnë.





