Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, ka njoftuar se qeveria ka miratuar një bonus të ri për pensionistët, i cili do të quhet “bonusi i verës”.

Sipas saj, ky bonus do të jetë në vlerën 5 mijë lekë dhe do të përfitohet nga rreth 777 mijë e 200 qytetarë në të gjithë vendin.

Ibrahimaj bëri të ditur se përfituesit përfshijnë 656 mijë e 325 pensionistë, 65 mijë e 636 përfitues të pensionit të invaliditetit, 48 mijë e 400 përfitues të pensionit familjar, si dhe 6 mijë e 840 qytetarë që trajtohen me skema të veçanta.

Sipas ministres, efekti financiar i kësaj mase është rreth 3.7 miliardë lekë.

Ajo theksoi se ky vendim vjen në vijim të politikës së qeverisë për të mbështetur pensionistët, duke u bazuar në performancën ekonomike dhe të ardhurat shtesë të gjeneruara gjatë 5-mujorit të parë të vitit.

Gjithashtu, ministrja shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave të aksidentit tragjik të ndodhur në linjën interurbane Tiranë–Berat.