Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar mbi 2.2 miliardë dollarë të ardhura për vitin 2025, sipas raportit të tij të detyrueshëm financiar. Pjesa më e madhe e fitimeve vjen nga aktivitetet e lidhura me kriptomonedhat, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me deklarimin e një viti më parë.

Në raportin prej 927 faqesh, Trump ka raportuar 635 milionë dollarë të ardhura nga të drejtat autoriale të një entiteti të quajtur “Celebration Coins”, që besohet të jetë pas meme-monedhës $TRUMP, e cila u lançua vetëm pak ditë përpara rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, vlera e kësaj kriptomonedhe ka rënë ndjeshëm që prej hedhjes në treg.

Një tjetër burim i rëndësishëm fitimesh është “World Liberty Financial”, kompania e kriptomonedhave e krijuar nga djemtë e presidentit dhe fëmijët e të dërguarit të posaçëm Steve Witkoff. Nga kjo kompani, Trump ka deklaruar mbi 500 milionë dollarë të ardhura.

Përveç sektorit të kriptomonedhave, presidenti amerikan ka përfituar miliona dollarë edhe nga bizneset e pasurive të paluajtshme, si dhe nga shitja e produkteve me markën Trump.

Deklarimi financiar tregon një rritje të ndjeshme të të ardhurave krahasuar me vitin 2024, kur Trump kishte raportuar mbi 600 milionë dollarë fitime.

Shtëpia e Bardhë ka mohuar sërish pretendimet për konflikt interesi, duke theksuar se bizneset e presidentit administrohen nga një fondacion i drejtuar nga djemtë e tij.

Zëvendëssekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, deklaroi se presidenti “e ka bërë me krenari SHBA-në kryeqytetin botëror të kriptomonedhave” dhe se as ai, as familja e tij, nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë të përfshirë në konflikte interesi.

Edhe vetë Trump ka deklaruar më herët se presidenti i SHBA-së nuk i nënshtrohet ligjeve federale për konfliktin e interesit.