Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri të madh që përfshiu një ndërtesë banimi në qytetin belg të Antverpit, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë.

Zjarri shpërtheu pak para orës 10:00 sipas kohës lokale në një ndërtesë 10-katëshe në lagjen Linkeroever. Sipas autoriteteve, në kompleks banojnë mbi 200 persona, ndërsa evakuimi i banorëve vazhdoi edhe disa orë pas shpërthimit të flakëve.

Zëdhënësja e policisë, Kim Bastiaens, tha se situata mbetet e rëndë, pasi disa banorë rezultojnë ende të zhdukur dhe zjarrfikësit po vazhdojnë kontrollin e ndërtesës.

Në operacionet e kërkim-shpëtimit janë angazhuar edhe ekipe me dronë të Departamentit të Zjarrfikësve të Antverpit, si dhe forca nga zonat fqinje. Ndërkohë, autoritetet aktivizuan planin e ndërhyrjes mjekësore për koordinimin e ndihmës emergjente dhe strehimin e banorëve të evakuuar.

Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të zonës të mbajnë të mbyllura dritaret dhe dyert dhe të shmangin afërsinë e vendit të ngjarjes për shkak të rrezikut nga tymi.

Sipas shërbimit të zjarrfikësve të Antverpit, shkaku i zjarrit mbetet nën hetim, megjithëse dyshohet se flakët kanë nisur si pasojë e një problemi teknik në katin përdhes të ndërtesës.