Të paktën 40 persona kanë humbur jetën dhe 8 të tjerë janë plagosur pasi një autobus pasagjerësh ra në një greminë në rajonin e Balochistan-it, në Pakistan, të premten, 3 korrik.

Sipas autoriteteve, autobusi po udhëtonte drejt Peshavarit kur doli nga rruga menjëherë pas largimit nga zona Dhanasar dhe u rrëzua në një zonë malore.

Fillimisht u raportua se në autobus ndodheshin rreth 36 pasagjerë, por më vonë u bë e ditur se disa persona ishin futur gjatë rrugës nga një autobus tjetër që kishte pësuar defekt.

Ekipet e emergjencës nga dy provinca u angazhuan menjëherë në vendngjarje, ndërsa të plagosurit u dërguan në spitalin e zonës Zhob. Trupat e viktimave u transportuan fillimisht në një qendër shëndetësore lokale, përpara se të dërgoheshin në spitalin rajonal.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

Zyrtarë të lartë të vendit kanë shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe kanë kërkuar që të plagosurve t’u jepet trajtimi më i mirë mjekësor.