Tre persona janë dënuar me burgim të përjetshëm nga një gjykatë e Afrikës së Jugut për rrëmbimin, grabitjen dhe vrasjen e një çifti britanik në shkurt të vitit 2018. Rachel Saunders, 64 vjeç, dhe bashkëshorti i saj 73-vjeçar, Rodney, u rrëmbyen ndërsa ishin në pyllin Ngoye, rreth 150 kilometra në veri të portit të Durbanit. Dy botanistët britanikë po mblidhnin bimë dhe fara të egra përpara se trupat e tyre të zbuloheshin disa ditë më vonë në një lumë.

Sipas raportimeve të huaja, Safidin Aslam del Vecchio, 46 ​​vjeç, gruaja e tij Fatima Patel, 35 vjeç, dhe shtetasi malavian Ahmad Musa u shpallën fajtorë për vrasjet muajin e kaluar dhe u dënuan secili me nga dy burgime të përjetshme nga Gjykata e Lartë e Durbanit në provincën KëaZulu-Natal të enjten.

Mësohet se, të tre u dënuan gjithashtu për vjedhjen e sendeve personale të çiftit, përfshirë kartat bankare të përdorura për blerje pranë Durbanit, tha policia e Afrikës së Jugut në një deklaratë. Pak pasi çifti u zhduk, makina e tyre u gjet e mbuluar me gjak dhe rreth 734,000paund, ishin tërhequr nga llogaritë e tyre bankare.

Përveç dënimeve me burgim të përjetshëm, të pandehurit u dënuan secili me nga 15 vjet burg për grabitje të rënduar dhe katër vjet për vjedhje. Del Vecchio u dënua gjithashtu me pesë vjet burg për një akuzë të palidhur të dëmtimit të qëllimshëm të pronës. Dënimet do të zbatohen njëkohësisht. Patel u arrestua në vitin 2016 me vëllain e saj në një operacion të veçantë kundër terrorizmit pranë Johannesburgut, por nuk u ngritën akuza. Ajo dhe Del Vecchio u akuzuan për ngritjen e një flamuri të Shtetit Islamik (ISIS) në rezervatin e gjahut ku çifti u zhduk në vitin 2018. Rachel dhe Rodney Saunders kishin shtetësi të dyfishtë, të Afrikës së Jugut dhe Britanike dhe drejtonin një biznes farërash në Cape Town.

Në kohën e rrëmbimit, ata po udhëtonin në një automjet që mbante pajisjet e tyre kërkimore dhe pajisjet e kampingut, sipas Autoritetit Kombëtar të Prokurorisë së Afrikës së Jugut. Çifti u pa për herë të fundit gjallë më 10 shkurt 2018. Trupi i Rodney-t u gjet nga peshkatarët në lumin Tugela dhe u identifikua disa javë më vonë, ndërsa trupi i Rachel-it u identifikua më 13 qershor të të njëjtit vit. Policia tha se Del Vecchio dhe Patel u arrestuan më 15 shkurt 2018, pasi një kontroll në shtëpinë e tyre zbuloi sende që i përkisnin çiftit. Musa u arrestua tre javë më vonë dhe u akuzua për përfshirjen e tij në këtë rast.