Ndërsa ndodhet në një vizitë zyrtare në Irlandë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vlerësoi progresin e bërë në negociatat e anëtarësimit nga Shqipëria dhe Mali i Zi, teksa theksoi se të dy vendet po avancojnë në procesin e zgjerimit mbi bazën e meritës.
“Shqipëria dhe Mali i Zi po vijojnë të përparojnë në procesin e zgjerimit. E mirëpres shumë mbështetjen tuaj të fortë për këtë proces, siç e përshkruat, të bazuar në meritë. Kjo mbështetje përfshin edhe qëllimin për të përfunduar deri në fund të vitit negociatat e pranimit me Malin e Zi”, tha ajo.
Presidentja e Komisionit Evropian rikujtoi edhe zgjerimin historik të Bashkimit Evropian në vitin 2004, i cili u realizua gjatë presidencës irlandeze të Këshillit të BE-së.
“Ne kemi çdo arsye për t’i besuar Irlandës në këtë, sepse, në fund të fundit, zgjerimi historik i vitit 2004 u realizua nën presidencën irlandeze të asaj kohe. Edhe vetë historia e Irlandës na kujton pse zgjerimi është një nga investimet më të zgjuara të Evropës.”
Edhe kryeministri i Irlandës, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të Këshillit të BE-së, përsëriti mbështetjen për vendet kandidate në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Shqipëria ndodhet aktualisht në fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit, pasi ka përmbushur kriteret e ndërmjetme për grupkapitullin “Themeloret”.
Vendi aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2009, mori statusin e vendit kandidat në vitin 2014 dhe hapi zyrtarisht negociatat në vitin 2022.
Gjatë procesit të negociatave, Shqipëria ka hapur të gjashtë grupkapitujt, ndërsa në fund të vitit 2025 u hapën edhe kapitujt e fundit, që lidhen me burimet, bujqësinë dhe kohezionin.
Në Konferencën e Tetë të Anëtarësimit në Bruksel, Bashkimi Evropian konfirmoi se Shqipëria kishte përmbushur kriteret e ndërmjetme në fushën e shtetit të së drejtës, duke e kaluar vendin në fazën e fundit të negociatave.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, synon që vendi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.





