Sulmuesi brazilian Nejmar duket i dëshpëruar që të kthehet përsëri te Barcelona. Milionat e sheikëve te PSG nuk duket se lumturojnë më brazilianin i cili e ka kuptuar se në një kampionat si ai francez, nuk do të ketë aq famë sa shpresonte.

Ndaj në këtë mënyrë, po kërkon me çdo kusht të kthehet te katalanasit dhe e ka shprehur hapur një gjë të tillë. Sipas mediave spanjolle, lojtari u ka pranuar publikisht edhe shokëve të eklipit këto ditë se synon që në verë të bëhet pjesë e katalanasve përsëri.

“Ose do të kthehem te Barcelona, ose do të kthehem te Barcelona”, ishte alternativa që ai u ka shpalosur lojtarëve të tjerë, një mesazh i qartë për PSG që të ulet të diskutojë realisht me Barcelonën për një transferim të mundshëm.

Por për momentin, pengesa kryesore duket se janë vetë katalanasit, të zhytur në një krizë financiare që ka bërë që drejtuesit dhe lojtarët të ndahen mes tyre sa u përket pagave të shkurtuara në muajt e fundit.

Barcelona është një nga klubet më të goditura edhe për faktin se ka pasur borxhe të shumta të cilat janë rritur pas pandemisë. Edhe transferimi i vetëm që po planifikonin katalanasit, ai i Lautaro Martinez, parashikon sakrifica shumë të rëndësishme ekonomike dhe mbetet në vendnumëro. Ndaj kthimi i Nejmar për momentin duket vetëm dëshirë e brazilianit, pasi në Katalonjë nuk e pret askush krahëhapur.