Kryeministri i Donald Tusk ka deklaruar se Polonia po përgatitet për “skenarë të ndryshëm”, duke paralajmëruar se muajt e ardhshëm mund të jenë “kritikë” për shkak të kërcënimeve që vijnë nga Rusia.
Tusk reagoi pas raportimeve të mediave se Moska po planifikon një provokim të armatosur në Poloni për të testuar vendosmërinë e NATO. Sipas raportimeve, të cilat citojnë burime të inteligjencës amerikane, Rusia mund të ndërmarrë sulme ndaj infrastrukturës polake me raketa ose dronë, apo edhe të dërgojë trupa në territorin e vendit.
“Nuk dua të frikësoj askënd, por muajt e ardhshëm mund të jenë vërtet kritikë, edhe për shkak të natyrës së re të luftës. Këto shqetësime ndihen veçanërisht në shtetet baltike”, deklaroi Tusk para gazetarëve.
Sipas medias polake Onet, burime pranë presidentit Karol Nawrocki kanë bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar disa herë Varshavën për një plan të mundshëm sulmi. Deri më tani, Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti Amerikan i Shtetit nuk kanë komentuar mbi këto raportime.
Sipas informacioneve të publikuara edhe nga gazeta britanike The Telegraph, objektivi i një provokimi të tillë do të ishte ushtrimi i presionit mbi aleatët perëndimorë të Ukrainës për të pezulluar ndihmën ushtarake ndaj Kievit.
Presidenti polak Nawrocki pritet të marrë pjesë javën e ardhshme në samitin e NATO-s në Turqi, ku udhëheqësit e aleancës do të diskutojnë rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen dhe vazhdimin e mbështetjes ushtarake për Ukrainën.
Edhe më herët, Tusk kishte paralajmëruar se Rusia mund të sulmojë një shtet anëtar të NATO-s brenda muajve të ardhshëm. Ndërkohë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Radek Sikorski ka deklaruar se nuk përjashton mundësinë që Rusia të organizojë një operacion të tipit “flamur i rremë” për të justifikuar një sulm ndaj një vendi të aleancës.
Edhe shtetet baltike kanë shprehur shqetësime të ngjashme. Zyrtarë nga Letonia dhe Lituania kanë paralajmëruar se Rusia mund të intensifikojë luftën hibride përmes provokimeve me dronë, raketa ose incidente të tjera përgjatë kufijve të NATO-s.
Sipas Nenit 5 të Traktatit të NATO-s, një sulm i armatosur ndaj një shteti anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjithë aleancës, duke detyruar vendet anëtare t’i vijnë në ndihmë njëra-tjetrës. /CNA





