Protesta e 35-të para Kryeministrisë ka nisur me leximin e një deklarate të grupit organizator, nga Dritan Goxhaj ku i urojnë Ditën e Pavarësisë SHBA-ve. Ndërsa shprehet rëndësia e kësaj dite dhe ndikimi që ajo ka në të gjithë botën, thuhet se shoqëritë demokratike kanë të drejtë të kërkojnë ndryshimin kur besimi i tyre cenohet nga pushteti.

“Sot, në Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve, i urojmë popullit amerikan 250-vjetorin e Pavarësisë! SHBA është aleate strategjike e Shqipërisë dhe mike e popullit shqiptar që ka qëndruar pranë. Në këtë ditë, kujtojmë Deklaratën e Pavarësië.

Ajo ishte shpallja e një parimi që vazhdon të frymëzojë popuj anembanë botës, se qeveritë e marrin legjitimitetin nga të qeverisurit. Deklarata e Pavarësisë na kujton se pushteti nuk është pronë e një qeverie, por besim i dhënë nga qytetarët.

Kur ky besim cenohet, shoqëritë demokratike kanë të drejtë të kërkojnë ndryshimin me mjete demokratike. Gëzuar 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-ve! Qoftë kjo ditë se liria nuk është dhuratë e pushtetit, por e drejtë e njerëzve”, lexoi Goxhaj.