Një vatër e madhe zjarri është aktivizuar këtë të diel në zonën e lagjes Drizë, pranë ish-Azotikut në Fier, duke djegur një sipërfaqe të mbuluar me shkurre dhe bimësi të thatë.

Sipas banorëve të zonës, era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve, duke vështirësuar punën e forcave zjarrfikëse për izolimin e tyre. Deri në këto momente nuk raportohet që zjarri të ketë rrezikuar banesa apo kabina elektrike në afërsi.

Në vendngjarje ndodhen mjetet dhe efektivët e shërbimit zjarrfikës, të cilët po punojnë për të vënë situatën nën kontroll. Në ndihmë të tyre janë bashkuar edhe banorë të zonës, të angazhuar për të frenuar përhapjen e flakëve.

Ndërkohë, shkaqet e zjarrit nuk janë bërë ende të ditura, ndërsa pritet një njoftim zyrtar nga autoritetet për rrethanat e ngjarjes.