Nga 𝙋𝙧𝙤𝙛. 𝘼𝙨𝙤𝙘. 𝘿𝙧. 𝘽𝙡𝙚𝙙𝙖𝙧 𝙆𝙪𝙧𝙩𝙞
(Alumni i Departamentit Amerikan të Shtetit)

Në ditët e fundit qarkullojnë postime në rrjetet sociale që citojnë një nga paragrafët më të famshëm të Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me protestat kundër qeverisë në Shqipëri. Ky është një interpretim jo vetëm i gabuar historikisht dhe juridikisht, por edhe i rrezikshëm për kulturën demokratike dhe stabilitetin e vendit.

Duke shpresuar që ata të cilët e qarkullojnë këtë pasazh e kanë vetëm nga mosdija shteruese e historisë, qëllimit dhe kontekstit të Deklaratës së Pavarësisë në vitin 1776, ky është pasazhi i plotë i qarkulluar pjesërisht larg çdo paralelizmi me ditët tona, jo vetëm për Shqipërinë por këdo shtet të botës sot:

“Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të vetëprovuara; se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe janë bekuar nga Krijuesi me disa të Drejta të pamohueshme, mes të cilave, Jeta, Liria dhe kërkimi i lumturisë. Për të siguruar këto të drejta, mes njerëzve krijohen qeveri, të cilat e marrin fuqinë nga dakordësia e të qeverisurve; por kurdo që ajo formë qeverisëse bëhet shkatërruese për këto qëllime, populli ka të drejtë ta ndryshojë apo ta shfuqizojë atë dhe të krijojë një qeveri të re.”

Të citosh e të përhapësh fjalinë “populli ka të drejtë ta ndryshojë apo ta shfuqizojë atë” përmes kryengritjes, e sidomos kur njerëzve u janë ushqyer publikisht edhe simbolika si arkëmorti në bulevard apo pankarta të flamingove me armë në dorë, pa shpjeguar rrethanat në të cilat është shkruar, është njësoj si të lexosh fundin e një libri pa njohur historinë që e paraprin.

Deklarata e Pavarësisë nuk është një manual për përmbysjen e qeverive demokratike të dalë nga vota e qytetarëve. Ajo është dokumenti me të cilin trembëdhjetë koloni shpallën shkëputjen nga Perandoria Britanike në vitin 1776. Kolonët nuk kishin përfaqësim politik në Parlamentin britanik, nuk kishin të drejtë vote mbi qeverinë që i sundonte, nuk kishin kushtetutë të tyre, nuk kishin gjykatë kushtetuese, nuk kishin zgjedhje të lira për të ndryshuar pushtetin dhe nuk gëzonin mekanizmat demokratikë që ekzistojnë sot në një republikë parlamentare.

Shqipëria e vitit 2026 nuk është Amerika e vitit 1776.

Republika e Shqipërisë është një shtet demokratik i ndërtuar mbi zgjedhjet periodike, pluralizmin politik, ndarjen e pushteteve, kontrollin kushtetues, gjykatat, institucionet e pavarura dhe të drejtën e qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore. Shqipëria e sotme është e jona. Republika që kemi sot është ajo për të cilën kemi punuar e kontribuar si shtetas, pa e lidhur me asnjë nuancë politike. Kush nuk pajtohet me qeverinë ka të drejtën ta kritikojë, ta kundërshtojë, të protestojë dhe, mbi të gjitha, të zgjedhë qeverinë që do përmes votës.

Ky është ndryshimi themelor mes një revolucioni kundër një monarkie koloniale dhe një demokracie kushtetuese.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e njeh sovranitetin e popullit, sepse e përcakton te Neni 2, Pika 1, që “sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i takon popullit” por përcakton qartë se ai ushtrohet sipas rendit kushtetues. Po ashtu, Kushtetuta garanton të drejtën e tubimit paqësor dhe të organizimit politik, duke krijuar rrugë ligjore për shprehjen e pakënaqësisë qytetare. Kjo do të thotë se protesta është e drejtë kushtetuese; por thirrja për përmbysje të dhunshme të institucioneve është një çështje krejt tjetër.

Edhe legjislacioni penal shqiptar mbron rendin kushtetues dhe institucionet demokratike. Kodi Penal parashikon vepra penale që lidhen me cenimin e rendit kushtetues, me thirrjet për përdorim force kundër rendit kushtetues apo me veprime të dhunshme kundër institucioneve të shtetit. Këto dispozita nuk ekzistojnë për të mbrojtur një qeveri të caktuar, por për të mbrojtur Republikën, Kushtetutën dhe stabilitetin demokratik, pavarësisht se kush është në pushtet.

Kjo është arsyeja pse është e papërgjegjshme që figura publike, analistë, gazetarë apo opinionistë të përdorin një dokument revolucionar të shekullit XVIII për të krijuar analogji me Shqipërinë e sotme. Një analogji e tillë nuk ndihmon debatin demokratik; përkundrazi, është shkatërrimtare, ushqen polarizimin, radikalizimin dhe krijon idenë e gabuar se ndryshimi politik duhet të vijë jashtë institucioneve.

Demokracitë nuk mbijetojnë sepse qytetarët bien dakord me çdo qeveri. Ato mbijetojnë sepse qytetarët bien dakord për rregullat me të cilat ndryshohet qeveria.

Nëse nesër çdo grup politik do të fillonte të citonte Deklaratën e Pavarësisë sa herë humbet zgjedhjet ose nuk pajtohet me shumicën parlamentare, atëherë do të shkatërronim vetë themelet e republikës sonë. Nuk mund të ketë demokraci nëse çdo pakicë pretendon të drejtën e revolucionit sa herë nuk fiton shumicën.

Historia amerikane nuk duhet keqpërdorur për të legjitimuar narrativa që nxisin mosbindjen ndaj rendit kushtetues. Patriotizmi amerikan lindi nga mungesa e demokracisë; patriotizmi shqiptar duhet të shprehet duke mbrojtur demokracinë që kemi ndërtuar me kaq shumë mund e sakrifica.

Kritikoni qeverinë. Protestoni. Organizohuni. Votoni. Kjo është rruga kushtetuese.

Por mos përdorni tekstet themeluese të një revolucioni të shekullit XVIII për të justifikuar ide që mund të interpretohen si thirrje për përmbysjen e institucioneve të një Republike demokratike, e cila është anëtare e NATO-s dhe në prag të anëtarësimit në BE.

Midis revolucionit dhe demokracisë kushtetuese ekziston një dallim thelbësor. Ta injorosh atë nuk është vetëm gabim historik; është një rrezik shkatërrimtar dhe i pakthyeshëm për vetë rendin demokratik që garanton liritë tona.

Nëse është nga padituria ndalini këto pasaktësi. Respektoni përgjegjësinë intelektuale ndaj së vërtetës. Nëse janë me prirje të qëllimshme, STOP, ndaleni këtë nxitje marrëzie kundrejt rendit kushtetues të Republikës së Shqipërisë.